Grupi mercenar rus Wagner ka filluar të tërheqë forcat e tij nga qyteti ukrainas Bahmut dhe t’ua dorëzojë pozicionet e tij trupave të rregullta ruse, tha themeluesi i këtij grupi, Yevgeny Prigozhin në një video të publikuar të enjten më 25 maj.
“Ne jemi duke tërhequr njësitë nga Bahmuti. Nga ora 5 e mëngjesit të sotëm deri më 1 qershor, shumica e njësive do të transferohen në kampet në pjesën e pasme. Po ia dorëzojmë pozicionet tona ushtrisë”, tha ai.
Videoja u publikua në Telegram nga shërbimi i tij për media. Në të shihet Prigozhin i veshur me veshje luftarake duke qëndruar pranë një blloku apartamentesh të dëmtuar nga lufta.
Të shtunën, Prigozhin njoftoi kapjen e Bahmutit pas betejës më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës.
Në videon e fundit, Prigozhin, i cili ka kritikuar vazhdimisht publikisht zyrtarë të lartë të mbrojtjes ruse, tha se forcat e tij do të ishin gati të ktheheshin në Bahmut nëse ushtria e rregullt nuk ishte në gjendje të menaxhonte situatën.
Një ditë më parë ai tha se Wagner ka humbur mbi 20.000 luftëtarë në betejën për kontrollin e qytetit lindor ukrainas të Bahmutit.
Shifra e të vrarëve përbën 20 për qind të 50.000 të dënuarve rusë që ai rekrutoi për luftën në Ukrainë.
Ky numër i luftëtarëve të vrarë vetëm në betejën për Bahmutin është shumë i lartë krahasuar me numrin e ushtarëve që Rusia pretendon se i janë vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë, përkatësisht Moska pretendon se që nga nisja e pushtimit në shkurtin e kaluar, i janë vrarë mbi 6.000 ushtarë.
Rusia ka pretenduar se ka shënuar fitore në Bahmut, por Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha më 24 maj se “luftimet e ashpra” po vazhdojnë brenda Bahmutit.
Bahmuti gjendet në provincën e Donjeckut, që është një prej katër provincave që vitin e kaluar Rusia pretendoi se i ka aneksuar. Këto katër provinca janë pjesërisht në kontrollin e forcave të Moskës./rel/