Tërmeti/ Gruaja nga Durrësi e strehuar në Kosovë lind foshnjën në Spitalin e Prizrenit

news image

Një grua nga Durrësi, e strehuar në kampin që ndodhet në Prizren, ka lindur sot foshnjën e gjinisë mashkullore në Spitalin e Prizrenit, raporton Gazeta Sinjali.

Kjo nënë foshnjën e ka lindur mëngjesin e sotëm dhe të dy janë mirë me shëndet, ka konfirmuar Drejtori i Spitalit, Afrim Avdaj.

“Sot në mëngjes është pranuar një nënë, e vendosur përkohësisht në kamp, nëna është e ardhur nga Durrësi si pasojë e tërmetit. Ajo ka lindur fëmijën e gjinisë mashkullore, gjendja e nënës është e mirë edhe gjendja e fëmijës është stabile dhe e mirë”, tha Avdaj për Gazetën Sinjali.

Ai shtoi se nëna është e kënqaur me shërbimin e spitalit.

Si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, shumë persona po strehohen në Kosovë, qindra nga ta po qëndrojnë në kampin e Prizrenit. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin