Greqia i ka dhuruar Shqipërisë 100 mijë doza të vaksinës AstraZeneca. Sasia e vaksinave ka mbërritur paraditen e sotme në Institutin e Shëndetit Publik.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
“100 mijë doza të vaksinës AstraZeneca sapo kanë mbërritur në Institutin e Shëndetit Publik, falë solidaritetit dhe mbështetjes së qeverisë së Republikës së Greqisë për Shqipërinë”, shkroi ajo në Facebook.
Manastirliu thotë se janë mbi 1.2 milion vaksina antiCOVID që kanë arritur në Shqipëri deri më sot.
“1,220,070 vaksina anticovid kanë mbërritur deri tani në vendin tonë. Jemi të vendosur për të vijuar pa u ndalur me planin kombëtar të vaksinimit, derë më derë, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve”, u shpreh ministrja në postimin e saj./Gazeta Sinjali/