Grabitja e armatosur në argjendarinë “Diakos” që tronditi të mërkurën suharekasit ishte planifikuar si në filma nga grupi prej katër personave, të cilët mbushën çantat me ari në vlerë të 250 mijë eurove dhe u zhdukën. Para se të arratiseshin ata u gjuajtën me njësinë policore që intervenoi në vendin e ngjarjes, duke e lënë të plagosur një polic. Ndonëse katër plaçkitësit ende nuk janë identifikuar, vetura e tyre është gjetur, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se automjeti me të cilin ata kanë arritur të arratisen, me targa të vjedhura të rajonit të Prishtinës “01”, që sipas pamjeve duket të jetë e tipit “Chevrolet Cruze” u gjet në një bjeshkë.
Teksa së fundmi, mediat lokale kanë publikuar pamje të reja ku shihet automjeti në fjalë në stacionin policor të Suharekës.
Nga Policia e kanë konfirmuar se të akoma nuk është zbuluar identiteti i të dyshuarve, por hetimet për identifikimin dhe lokalizimin e vendndodhjes së tyre po vazhdojnë.
Gjithçka dyshohet se ndodhi para orës 16:00, kur të dyshuarit ia mësynë argjendarisë, e cila ndodhet në rrugën “Brigada 123”, zbritën nga një veturë, të maskuar e të armatosur dhe tronditën punëtorin që ndodhej brenda.
Hajnat po dyshohet se kanë lidhur me rrip punëtorin e argjendarisë dhe nisën t’i zbrazin raftet e mbushura me stoli të arit ashtu siç e kishin planifikuar, teksa njëri prej tyre po bënte roje jashtë lokalit me kallashnikov, duke i tmerruar qytetarët në pikë të ditës.
Teksa grabitja po kryhej, dikush e njoftoi Policinë dhe intervenimi i njësisë policore ishte i shpejt, ku i gjetën të dyshuarit në vendin e ngjarjes, por që u konfrontuan me ta. Siç shihet në pamjet e publikuara nga Sinjali, posa arrin Policia, njëri polic del nga vetura zyrtare dhe aty nis shkëmbimi i zjarrit.
Për pasojë, një zyrtar policor u plagos me armë zjarri në këmbë, teksa gjatë aksionit mbeti i lënduar edhe një polic tjetër – gjendja e të cilëve fatmirësisht është stabile dhe të njëjtit janë jashtë rrezikut për jetë.
Kjo situatë alarmoi Policinë dhe vuri në lëvizje edhe njësi të tjera policore, por të dyshuarit arritën të largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Në njoftimin e fundit të Policisë lidhur me këtë rast, thuhet se derisa po iknin, të dyshuarit kanë vendosur pengesa të ndryshme, në mënyrë që t’ua pamundësojnë zyrtarëve policorë që t’i kapnin, shkruan Sinjali.
Ndonëse arritën të zhduken, duke lënë pak gjurmë, Sinjali mëson se Policia ka aktivizuar tashmë “Unazën e Çeliktë”, ku si rezultat janë shtuar pika kontrolli në lokacione të ndryshme.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka njoftuar se në bashkëpunim edhe me Drejtoritë e tjera Rajonale janë angazhuar me tërë kapacitetin e tyre për zbardhjen e rastit, identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve.
Policia po ashtu ka bërë një kërkesë për të gjithë qytetarët që kanë çfarëdo informacioni që mund të ndihmojë në kapjen e kryesve të këtij rasti, të kontaktojnë në numrat e PK-së.
Sinjali do të iu mbajë të informuar lidhur me të gjitha detajet e reja që do të zbulohen nga ky rast.