image Grabitje në ‘HIB Petrol’ në rrugën Podujevë-Prishtinë, i dyshuari nën kërcënimin e armës ia merr paratë punëtorit

Siguri

Grabitje në ‘HIB Petrol’ në rrugën Podujevë-Prishtinë, i dyshuari nën kërcënimin e armës ia merr paratë punëtorit

news image

Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Një rast i tillë i armatosur ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në pikën e ‘HIB Petrol’ në rrugën Podujevë – Prishtinë, saktësisht në fshatin Llapashticë e Poshtme, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se një person i maskuar, i cili ende nuk është identifikuar, ka arritur që nën kërcënimin e armës të marrë rreth 400 euro nga punëtori që gjendej brenda kabinës ku po qëndronte.

Menjëherë pas kryerjes së veprës, i dyshuari është larguar me shpejtësi nga mbrapa pompës së derivateve.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, teksa janë marrë të gjitha veprimet hetimore për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Gazeta Sinjali po ashtu ka kontaktuar edhe kompaninë ‘HIB Petrol’ për të marrë më shumë detaje lidhur me rastin, por të njëjtit kanë deklaruar se nuk kanë ende informacione zyrtare.

/GazetaSinjali/