image Menaxheri i "Besa Security" pjesë e grupit kriminal që grabiti paratë e bankës - Zbulohet roli i tij në grabitje

Ekskluzive

Menaxheri i “Besa Security” pjesë e grupit kriminal që grabiti paratë e bankës – Zbulohet roli i tij në grabitje

news image

Dy grabitje të armatosura kanë ndodhur vetëm vitin e kaluar gjatë transportimit të parave nga kompania “Besa Security”. Në rastin që ndodhi në nëntor të 2021, personat që kryen grabitjen e armatosur po dyshohet se patën një ‘dorë’ brenda kompanisë, që u ndihmoi. Bëhet fjalë për menaxherin e Logjistikës të kësaj kompanie, Milaim Lipovica, i cili gjendet në paraburgim. Lipovica mesa duket ‘sigurimin’ e vetëm që e ka bërë në këtë rast ka qenë ndihma për t’u grabitur paratë nga kompania për të cilën shërbente. Sinjali ju sjellë detaje ekskluzive se si ishte përgatitur gjithçka dy javë para se të ndodhte grabitja.

Plani për grabitjen e parave më 18 nëntor 2021, duke sulmuar me breshëri plumbash automjetin e kompanisë së sigurimeve “Besa Security”, i cili po bartte paratë e bankës ProCredit, ishte ‘gatuar’ më 6 nëntor të atij muaji. Milaim Lipovica, 41 vjeçar, bashkë me Besim Kasumin, 40-vjeçar po dyshohen se atë ditë bënë gjithçka gati që automjeti me paratë që po transportoheshin të grabitej. Lidhur me këtë rast, dy të dyshuarit janë arrestuar më 15 shkurt, në orët e mëngjesit.

Milaim Lipovica

Si u bë ‘gati’ dy javë më parë automjeti i “Besa Security”

E gjithë puna u krye për 1 orë e 15 minuta, në mëngjesin e 6 nëntorit. Lipovica, si person përgjegjës i sigurimit të “Besa Security”, fshehtazi, pa dijeninë e udhëheqësit të kompanisë dyshohet se e ka marrë një automjet “Fiat”, që shërbente për transportimin e parave, me të cilin ka shkuar deri Autoservisi “Besi”, ku pronar është i dyshuari Besim Kasumi.  

Bashkë më Kasumin, ata dyshohet se kanë marrë rrugë për te Autoservisi “Ylli”, ku kanë bërë gati automjetin e kompanisë “Besa Security”, i cili do të grabitej gati dy javë më pas.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë njoftuar se në këtë autoservis, Milaim Lipovica dhe Besim Kasumi, automjetit të kompanisë “Besa Security”, ia kanë vendosur një bllokadë për fikjen e motorit të automjetit me pilot elektronik nga distanca, të cilën më pas e testojnë.

Pasi e vërtetojnë se bllokada e vendosur po funksiononte, të njëjtit dyshohen se kanë bërë një xhiro me automjetin e kompanisë, për ta ritestuar në bazë të shpejtësisë së lëvizjes. Pasi edhe këtë test mesa duket e kaloi, Lipovica dhe Kasumi, furgonin për transportimin e parave e dërgojnë te Autoservisi i “Fiat”, në Prishtinë. Më vonë, këtë automjet e merr një punëtor i “Besa Security”.

Gjithçka u bë gati dhe gati dy javë më vonë, pasditen e 18 nëntorit, në fshatin Parallovë të komunës së Novobërdës, derisa me furgonin e kompanisë “besa” po transportoheshin para të bankës “pro Credit”, sipas Prokurorisë, automjeti ndalet me pilot elektronik nga i dyshuari Dardan Gashi dhe tre të tjerë, të cilën gjenden ende në arrati. 

Të dyshuarit, të maskuar, kanë shtënë me katër kallashnikov në drejtim të automjetit, duke shkrepur 30 plumba, ku më pas grabisin 10 çanta me para dhe ikin me një veturë të tipit Zafira. Për t’i fshehur gjurmët, të dyshuarit ia kanë vënë flakën kësaj veture, afër një pompe të derivateve, për t’u larguar me një veturë tjetër. As veturën e tipit Wolvo, nuk e shfrytëzuan gjatë, pasi e njëjta u gjet e braktisur në një fshat të Sllatinës.

Momenti i grabitjes së armatosur

Gazeta Sinjali pati publikuar video nga momenti kur të dyshuarit bllokojnë automjetin e “Besa Security” dhe dalin nga vetura duke shtënë me breshëri plumbash në drejtim të tij. Në pamjet e publikuara nga Sinjali shihen katër të dyshuar të veshur fund e krye me të zeza, e të armatosur.

Lipovica dhe Kasumi dyshohen se në bashkëkryerje kanë ndihmuar në kryerjen e veprës penale”grabitja”. Prokuroria Themelore në Gjilan ka pranuar kallëzim për këtë rast kundër dy të dyshuarve, me deklarata dhe raportin e ekzaminimit të automjetit Fiat, ku është gjetur e montuar bllokada e vendosur në  mënyrë të paautorizuar.

Lidhur me këtë rast, Sinjali mëson se ekzistojnë edhe pamje të kamerave të sigurisë të vendosura në automjetin Fiat, i cili është grabitur dhe CD nga incizimet e kamerave të tjera.

Për të njëjtit, Departamenti për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Gjilan, ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji. Kërkesa për caktimin e masës së sigurisë është bërë më 15 shkurt.

Ndryshe, i dyshuari tjetër për këtë rast, Dardan Gashi është arrestuar më 30 nëntor nga Policia e Kosovës. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “grabitja.”

Dënimi që parashihet për ata që kryejnë veprën penale “grabitja”

Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që kryen veprën penale “grabitja” dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në 12 vjet burgim.

Sipas këtij neni, paragrafi 3, nëse vepra penale kryhet nga kryesi i cili vepron si anëtar i grupit, ose ka me vete armën, dënohet me gjobë dhe burgim nga pesë deri në 12 vjet burgim.

Ndërsa neni 33 thotë se “Kushdo që me dashje ndihmon personin tjetër për kryerjen e veprës penale dënohet më dënim më të butë sesa kryesi i veprës.”

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/