VAR Lee Mason do të largohet nga “PGMOL” (Komisioni i zyrtarëve profesional të ndeshjeve) dhe nuk do të gjykojë më në Premier League, ka mësuar tabloidi britanik Sportsmail.
Kuptohet se Mason po largohet me pëlqim reciprok, një javë pasi 51-vjeçari bëri një gabim skandaloz në barazimin 1-1 të Arsenalit me Brentford.
VAR gabimisht lejoi që goli i barazimit të Ivan Toney të qëndronte, pasi harroi të kontrollonte nëse Christian Norgaard ishte në pozicion jashtë loje.
Kjo e la të zemëruar trajnerin e Arsenalit, Mikel Arteta që mund të rezultojë i kushtueshëm në garën e tyre për të mposhtur Manchester Cityn për titullin e Premierligës.
Më herët gjatë javës, Arteta pranoi me ngurrim kërkim faljen e “PGMOL-it” dhe bëri një “sulm” ndaj Mason. “Do të jem i kënaqur vetëm nëse i kthejnë dy pikët”, tha Arteta.
“I vlerësoj faljet e sinqerta, të sinqerta, por kjo nuk e heq faktin që kemi dy pikë më pak. Të gjithë bëjnë gabime, por kjo ishte diçka tjetër.
Kishte zemërim dhe zhgënjim të madh, sepse ky nuk ishte gabim njerëzor, ishte një keqkuptim i madh i punës suaj. Kjo nuk është e pranueshme, më vjen keq. Arsenalit i kushtoi dy pikë, ne do të duhet t’i gjejmë ato dy pikë diku tjetër në ligë“, deklaroi Arteta.
Mason ishte gjyqtar i Premier League për 15 vjet dhe mbikëqyri 287 ndeshje të ligës së lartë gjatë asaj kohe.
Ai u ndal pas sezonit 2020-21 për t’u bërë një gjyqtar i VAR. Karriera e tij e plotë në lojën profesionale e pa 51-vjeçarin të drejtonte në mbi 500 ndeshje pasi ai përparoi në Ligën e Futbollit në 1998.