image Gjykata vendos për dy të rinjtë që u kapën në flagrancë me drogë pasi tentuan t'i ikin Policisë - Sinjali

Gjykata vendos për dy të rinjtë që u kapën në flagrancë me drogë pasi tentuan t’i ikin Policisë

news image

Gjykata Themelore në Prizren u ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji të dyshuarve Ramë Kasolli dhe Fitim Musliu, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprat penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.

Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

  • Me datë 31 maj 2022,  në orët e mbrëmjes në Prizren, të pandehurit me anë të veprimeve të rrezikshme shkaktojnë rrezik të madh  për jetën e zyrtarëve Policor të njësisë NJRSH, ashtu që i pandehuri R.K., deri sa ishte duke drejtuar veturën, për shkak të lëvizjes me shpejtësi shumë të lartë, të njëjtit i jepet Urdhër nga Policia e Kosovës që ta ndal veturën, por i pandehuri nuk ndalet, përkundër kësaj rrit shpejtësinë dhe hyn në semafor me dritë të kuqe dhe vazhdon lëvizjen me vrull, ashtu që katër (4) zyrtarë Policor të NJRSH-së ndalin automjetin zyrtar dhe ndezin dritat rotative për të ndaluar të pandehurin, përkundër sinjalit të Policisë së Kosovës, i pandehuri R.K.,  nuk ndalet, rrit edhe më shumë shpejtësinë dhe drejton veturën në drejtim të të dëmtuarve duke dashur ti godet me veturë, mirëpo Zyrtarët Policor arrin ti shmangen, këso dore i pandehuri ka rrezikuar seriozisht jetën e Zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe pjesëmarrësve tjerë në Komunikacion
  • Me datë dhe kohë të njëjtë, pasi që të pandehuri ndalen nga ana e Policisë së Kosovës, gjatë kontrollës së kryer në veturë është gjetur një qese plastike me substancë narkotike marihuanë

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, rrezikshmërinë shoqërore, dhe me lënien në liri të të pandehurve, të njëjtit mund të arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prizren.

Tutje bëhet e ditur se gjyqtari i procedurës paraprake ka marrë parasysh edhe karakteristikat personale të të pandehurve, ku të njëjtit kanë një numër të madh të rasteve të hapura për vepra penale të ngjashme për të cilat dyshohen.

“Nga rrethanat e lartcekura, tregojnë se me lënien në liri të të pandehurve ekziston rreziku i përsëritje së veprave penale, apo kryerja e veprave penale edhe më të rënda.

Andaj, caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim të zhvillimit efikas të procedurës hetimore“.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin