image Biznesmeni nga Prizreni në telashe me shtetin, Gjykata merr vendim pas incidentit për kontest pronësor - Sinjali

Biznesmeni nga Prizreni në telashe me shtetin, Gjykata merr vendim pas incidentit për kontest pronësor

news image

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh Granit Paçarizit, i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht fqinjin e tij, Agim Kastratin, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, i cili njoftoi se masa ndaj të dyshuarit mund të zgjasë deri më datë 07.06.2022, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje” .

Gjyqtari i procedurës paraprake me datë 09.05.2022, ka marrë Aktvendim dhe ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditësh, e cila masë mund të zgjasë deri më datë 07.06.2022, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale lëndim i lehtë trupor nga neni 185 par. 3 lidhur me par. 1 dhe veprën penale kanosja nga neni 181 par. 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës“, thuhet në përgjigjen e Lekajt për Sinjalin.

Vendimi për caktimin e paraburgimit, sipas gjyqtarit është bërë duke pasur parasysh se i dyshuari është recidivist i veprave penale.

Duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale, ashtu që i pandehuri dyshohet se për mosmarrëveshje pronësore ka goditur me grusht dhe ka kanosur të dëmtuarin – fqinjin e tij, këto rrethana tregojnë rrezikshmërinë se i pandehuri mund të përsërisë veprën penale apo të kryejë vepër tjetër penale edhe më të rëndë, pasi që nga regjistri i evidencës penale i pandehuri edhe në të kaluarën ka qenë i dënuar me aktgjykime të plotfuqishme dhe përsëritës i veprave penale të ngjashme.

Sipas Gjykatës, vendimi për caktimin e paraburgimit është bërë mbi faktin se procedura është në fazën fillestare të hetimeve .

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se procedura është në fazën fillestare të hetimeve, dhe për sqarimin e plotë të rastit duhet të merren edhe prova të tjera, dhe me lënien në liri të të pandehurit i njëjti mund të ndikojë në mbarëvajtjen e procedurës hetimore“.

Paçarizi vite më parë, ishte përfshirë në një përleshje masive, ku si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit, kishte edhe persona të plagosur.

Paçarizi ishte akuzuar për armëmbajtje pa leje, për çka edhe ishte shpallur fajtor. Por, prokurori e kishte rihapur rastin, duke e akuzuar kështu Paçarizin për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’.

Për kryerjen e kësaj vepre penale, ai ishte dënuar me 2 vite e gjysmë burgim dhe ishte dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.

Ndërkaq më 1 janar të vitit 2020, ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me anë të një dekreti i kishte falur me një vit burg, tre personave të dënuar për vepra të ndryshme penale ku në këtë falje ishte edhe Granit Paçarizi.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin