image Gjykata Themelore e Prishtinës e dënon kosovaren për pjesëmarrje në ISIS

Kosovë

Aktgjykimi/ Gjykata Themelore e Prishtinës e dënon kosovaren për pjesëmarrje në ISIS

news image

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me dy vjet burgim me kusht Edonë Berishën për pjesëmarrje në grupe terroriste.

Në seancën fillestare, ajo ka pranuar fajësinë, shkruan Gazeta Sinjali.

Gjykatësja ka njoftuar se dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse e akuzuara nuk kryen vepër tjetër penale brenda tre vjetësh.

Sipas aktakuzës, Edonë Berisha akuzohet se me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste, në atë mënyrë që ka shkuar në Siri dhe i është bashkëngjitur organizatës terroriste, militante, ekstremiste ISIS, duke e përkrahur këtë organizatë dhe veprimtaritë e saj dhe qëllimin që duke luftuar padrejtësisht të detyrojnë qeverinë siriane, e pastaj edhe qeveritë e shteteve tjera që ta lënë pushtetin dhe seriozisht ta destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturën kushtetuese, ekonomike dhe sociale dhe të krijojnë “Shtetin Islamik Iraku dhe Levant”.

Gjithnjë sipas akuzës, pasi që bashkëshorti i të akuzuarës Edonë Berisha, ka vendosur dhe ka shkuar në Siri që t’i bashkëngjitet luftës për “Shtetin Islamik”, edhe pse e ka ditur se veprimi i tillë është kundërligjor, më 26 gusht 2014, e akuzuara së bashku me katër fëmijët e nga shtëpia e saj me një veturë i kishte marrë personi Mendus Selimoviq, e cili i ka dërguar deri në pikën kufitare të Hanit të Elezit, e nga aty me taksi kanë shkuar në aeroportin e Shkupit, prej ku kanë udhëtuar në Turqi e pastaj në Siri ku është regjistruar si pjesëtare e ISIS-it. /Gazeta Sinjali/