Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë vendim ndaj të pandehurit A.H., pronar i Resortit “Maja Zezë”, për veprën penale “kontrabandimi i mallrave”, duke e gjykuar me 180 ditë burgim, shkruan Gazeta Sinjali.
Mirëpo, me propozim të palës, dënimi me burgim i është zëvendësuar me gjobë në shumën prej 1 mijë e 800 euro.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj gjykate, Sabit Shkodra.
Sipas aktakuzës, më datë 01.11.2020, në Resortin ‘Maja e Zezë’ në fshatin Stanqiq, pronari në bashkëveprim me dy persona tjerë veterinerë nga Republika e Shqipërisë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo dikë tjetër dhe në kundërshtim me Ligjin 03/-L-233 për Mbrojtjen e natyrës – neni 101 paragrafi 1 në lidhje me nenin 7 paragrafi 1 nënparagrafi 1.27 sipas të cilit për importimin e kafshëve të egra kërkohet leje e veçantë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të njëjtit në kundërshtim me këto dispozita ligjore kanë kontrabanduar kafshën e egër Luanin të llojit Panthera leo-leon.
Shkodra po ashtu bëri të ditur se gjykata e shkallës së parë ka marrë vendim që luani të konfiskohet dhe t’i jepet për menaxhim të përkohshëm Agjencisë së Veterinës.
“Gjykata në bazë të nenit 311 paragrafi 6 të KPRK-ës, ka marr vendim që luani i llojit Pantera, konfiskohet dhe i jepet nën menaxhim Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) në Prishtinë përkohësisht, më pas të transferohet në Republikën e Shqipërisë apo ndonjë vend tjetër ku ka kusht për mbikëqyrje”, thuhet në përgjigjen e Shkodrës./Gazeta Sinjali/