image Gjykata merr vendim për oficerin korrektues i cili futi drogë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë

Drejtësi

Gjykata merr vendim për oficerin korrektues i cili futi drogë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën e ka dënuar me një vit e tetë muaj burgim oficerin korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, Ragip Zeneli, i cili paraprakisht e kishte pranuar fajësinë, shkruan Gazeta Sinjali.

Zeneli për veprat penale “Keqpërdorim detyre dhe shpërndarje të narkotikut” është dënuar me nga një vit burgim efektiv për secilën vepër dhe 1 mijë euro gjobë, ndërsa ndaj tij gjykata ka shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 1 vit e tetë muaj.

Fajtor është shpallur edhe i akuzuari për posedim të narkotikëve, Blerim Sinani, i cili pas pranimit të fajësisë është dënuar me shtatë muaj burgim dhe 500 euro gjobë.

Zeneli akuzohej se në dhjetor 2020, kishte futur substancë narkotike në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë dhe ia kishte dorëzuar të akuzuarit Sinani i cili është në vuajtje të dënimit në këtë qendër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi në fjalë është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dermaku, e cila njoftoi se të akuzuarit Zeneli do t’i ndërpritet edhe masa e paraburgimit derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Ndryshe para shpalljes së këtij aktgjykimi, prokurori Arian Gashi ka bërë përmirësimin e dy çështjeve teknike në lidhje me aktakuzën.

“Çështja e parë ka të bëjë me veprën penale të shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267, par.2 lidhur me nenin 275 par.1 ku hyn vetëm pika 1.8, për shkak se pika 1.2, është e cilësuar si vepër e posaçme, respektivisht vepra penale e keqpërdorimit të pozitës zyrtare…Çështja e dytë është se pasi kemi dy të akuzuar me dy vepra të ndryshme penale dhe një dispozitiv, atëherë bëjë ndarjen e dispozitivit, ashtu që, për të akuzuarin Blerim Sinani, shtoj pikën e tretë të dispozitivit”, ka thënë prokurori Gashi.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 dhjetor 2020, i akuzuari Ragip Zeneli në cilësinë e oficerit korrektues në Qendrën e paraburgimit në Prishtinë, në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo tjetrin nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se më 3 dhjetor 2020, Zeneli kishte futur substancë narkotike e llojit marihuanë në Qendrën Korrektuese në Prishtinë, me qëllim që të ndërmjetësoj dhe t’ia dorëzoj të akuzuarit Blerim Sinani i cili gjendej në vuajtje të dënimit në këtë qendër.

Sipas prokurorisë, gjatë kohës së drekës në këtë qendër Zeneli i ishte afruar Sinanit i cili ishte duke e shpërndarë ushqimin, ia kishte dhënë një sasi të narkotikut, por kur kishin vërejtur se sigurimi ishte duke ardhur, i akuzuari Sinani e kishte hedhur narkotikun në kosh të mbeturinave, e cila ishte gjetur dhe sekuestruar nga sigurimi i qendrës.

Pas ekzaminimit të policisë kishte rezultuar se substanca narkotike ishte e llojit marihuanë me peshë 3.59 gram, ndërsa të njëjtën ditë gjatë bastisjes të akuzuarit Sinani në shtëpinë e tij në Graqanicë, policia kishin gjetur një sasi të vogël të marihuanës me peshë 0.18 gram.

Për këto veprime Zeneli po ngarkohet me veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa i akuzuari Sinani për veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

/Gazeta Sinjali/