image Gjykata merr vendim për grabitësin e pompës në Skenderaj që ra në prangat e Policisë pas tri vitesh

Drejtësi

Gjykata merr vendim për grabitësin e pompës në Skenderaj që ra në prangat e Policisë pas tri vitesh

news image

Gazeta Sinjali raportoi dje për arrestimin e 32-vjeçari Olsjan Nazarit, në pikën kufitare në Vërmicë, pasi i njëjti kërkohej që tri vite, si i dyshuar për një rast të grabitjes së armatosur në Polac të Skenderajt. Sinjali ka mësuar se pas ndalimit prej 48 orësh, Gjykata ka marrë vendim mbi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se i dyshuari ka dalë sot para gjyqtarit të procedurës paraprake, me ç’rast i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Si tentoi të fshihej i dyshuari, duke u prezantuar me mbiemër tjetër?

I arrestuari, fillimisht kishte prezantuar një dokument identifikimi me një mbiemër tjetër, por pas verifikimit të të dhënave nga ana e Policisë, rezultoi se kërkohej me urdhër arrest të lëshuar nga Gjykata.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për Olsjan Nazarin, i cili gjatë kontrollimit nga ana e policisë u prezantua me letërnjoftim të Shqipërisë si Olsjan Avdijaj. Ndërrimi i mbiemrit nuk e shpëtoi nga prangat e Policisë, pasi i njëjti u arrestua menjëherë dhe u dërgua në stacionin policor në Mitrovicë.

Sinjali ka mësuar se ai dyshohet për grabitjen e armatosur që kishte ndodhur më 10 tetor të vitit 2019, në pompën e derivateve ‘Alfa Trade’, në fshatin Polac të Skenderajt.

Atë kohë, në orët e mesnatës, Olsjani dyshohet se bashkë me disa persona të tjerë, të maskuar e të armatosur, kanë shtënë me armë zjarri në afërsi të pompës dhe kanë grabitur nga punëtori afër 800 euro dhe më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/