image Zbulohet emri i të riut që u kap pas tri vitesh për rastin e grabitjes, u prezantua në kufi me mbiemër tjetër

Siguri

Zbulohet emri i të riut që u kap pas tri vitesh për rastin e grabitjes, u prezantua në kufi me mbiemër tjetër

news image

Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për arrestimin e një 32-vjeçari në pikën kufitare në Vërmicë, pasi i njëjti kërkohej që tri vite, si i dyshuar për një rast të grabitjes së armatosur në Polac të Skenderajt. I arrestuari, fillimisht kishte prezantuar një dokument identifikimi me një mbiemër tjetër, por pas verifikimit të të dhënave nga ana e Policisë, rezultoi se kërkohej me urdhër arrest të lëshuar nga Gjykata.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për Olsjan Nazarin, i cili gjatë kontrollimit nga ana e policisë u prezantua me letërnjoftim të Shqipërisë si Olsjan Avdijaj. Ndërrimi i mbiemrit nuk e shpëtoi nga prangat e Policisë, pasi i njëjti u arrestua menjëherë dhe u dërgua në stacionin policor në Mitrovicë.

Sinjali ka mësuar se ai dyshohet për grabitjen e armatosur që kishte ndodhur më 10 tetor të vitit 2019, në pompën e derivateve ‘Alfa Trade’, në fshatin Polac të Skenderajt.

Atë kohë, në orët e mesnatës, Olsjani dyshohet se bashkë me disa persona të tjerë, të maskuar e të armatosur, kanë shtënë me armë zjarri në afërsi të pompës dhe kanë grabitur nga punëtori afër 800 euro dhe më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Sipas burimeve të Sinjalit, pasi i dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë, Prokurori ka urdhëruar ndalimin e tij në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/