image Gjykata merr vendim për 55-vjeçarin që u kap me mbi 91 kg drogë në Podujevë

Drejtësi

Gjykata merr vendim për 55-vjeçarin që u kap me mbi 91 kg drogë në Podujevë

news image

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të dyshuarit F.M, pasi të mërkurën në mbrëmje u kap me mbi 91 kilogramë drogë.

Ai u arrestua nga Policia e Kosovës, gjatë një aksioni të koduar “Kamera” në Konushevc të komunës së Podujevës.

Sot Gjykata në Prizren, njoftoi se paraburgimi ndaj tij do të zgjasë deri më 30 mars pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve , substancave psikotrope dhe analoge“.

“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtari i procedurës – Xheladin Osmani, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 09.02.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 10.03.2022, ndaj të pandehurit F.M., për shkak të dyshimit zë bazuar se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 par. 2 dhe 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në komunikatën e lëshuar thuhet se i dyshuari bashkë me një person tjetër që gjendet në arrati, kanë shpërndarë dhe transportuar substanca ose preparate që janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope dhe analoge.

Me datë 09 shkurt, në orët e mbrëmjes, në Podujevë, i pandehuri F.M., (me të bashkëpandehurin M.Q., i cili është në arrati), në cilësi të bashkëkryerësve së bashku me dy persona të tjerë, pa autorizim kanë shpërndarë dhe transportuar substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge me qëllim të shitjes, shpërndarjes dhe ofrimit për shitje, në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri i M.Q., ka komunikuar me telefon me të pandehurin F.M., në automjetin e tij Audi me targa të Gjermanisë, ka ngarkuar substancën narkotike të llojit “Marihuanë” në sasi të madhe me peshë prej 91 kilogram e 548 gram, dhe është nisur në drejtim të fshatit Konushefc të Komunës së Podujevës, dhe me të ardhur në atë fshat ka hyrë në shtëpinë e të pandehurit F.M., ku i ka nxjerrë çantat në të cilat e kishte vendosur sasinë e marihuanës për ta vendosur në autobusin e linjës së rregullt Kosovë-Austri pronë e të pandehurit F.M., pastaj sërish këto çanta me “Marihuanë” i vendos në automjetin e tij dhe niset në drejtim të Podujevës, kështu i pandehuri F.M., me automjetin e tij të tipit Golf me targa të Austrisë, ia siguron rrugën, i pandehuri M.Q., në momentin kur i vëren zyrtarët policor fillimisht përdor forcë duke e goditur me automjetin e tij veturën zyrtare të policisë, me rastin e kthimit mbrapa me automjet e godet zyrtarin policor dhe përdor armë zjarri duke shtënë në drejtim të zyrtarëve policor“, thuhet në komunikatë.

Policia dje ka njoftuar se në lidhje me këtë rast, janë edhe tre persona në kërkim nga ta.

/GazetaSinjali/