image Gjykata merr vendim ndaj dy policëve dhe dy qytetarëve që u arrestuan për fajde në Prizren - Sinjali

Gjykata merr vendim ndaj dy policëve dhe dy qytetarëve që u arrestuan për fajde në Prizren

news image

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë ditë, ndaj katër të pandehurve, për veprat penale; fajdeja, detyrimi, dhënia e ryshfetit, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit.

Kjo masë u caktua edhe ndaj dy zyrtarëve policorë, Ihsan Fetahaj dhe Kujtim Gilanit.

Fetahaj, i cili është rreshter në stacionin policor veriu në Prizren, dyshohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrje e ryshfetit”.

Ndërkaq, Kujtim Gilani, dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Masa e paraburgimit iu caktua edhe dy qytetarëve të përfshirë në këtë rast, Arlinda Krasniqit, e dyshuar për veprën penale “Mashtrim” dhe Naser Koqinajt, i cili dyshohet për veprat penale “Fajdeja”, “Detyrimi”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Marrja e ryshfetit”.

“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurve N.K., I.F., K.G. dhe A.K., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin