image Gjykata ia cakton një muaj arrest shtëpiak të dyshuarit për organizim të lojërave të fatit në Karaçevë

Drejtësi

Gjykata ia cakton një muaj arrest shtëpiak të dyshuarit për organizim të lojërave të fatit në Karaçevë

news image

Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji, Gëzim Hidës, i cili dyshohet se deri më 6 shkurt të këtij viti, organizoi bixhoz të paligjshëm në fshatin Karaçevë e Poshtme të Komunës së Kamenicës.

Kjo masë është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Prokurorja gjatë leximit të kërkesës për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit Hida, ka thënë se konsideron që janë përmbushur arsyet për caktimin e kësaj mase.

“Nga shkresat e lëndës dhe provat e ofruara, shihet se ka bazë se i njëjti nëse lihet në liri rrezikohet të sigurohet prezenca e tij në procedurë penale”, ka thënë prokurorja.

Ajo ka kërkuar nga gjykata që ta aprovojë kërkesën e prokurorisë dhe të dyshuarit Hida t’i caktohet masa e paraburgimit.

Ndërsa, mbrojtësi i të dyshuarit e ka kundërshtuar në tërësi këtë kërkesë të prokurorisë, sipas tij nga fakti se këtë vepër i mbrojturi i tij e ka pranuar paraprakisht para organeve të hetuesisë.

Ai ka kërkuar nga gjykata që të mbrojturit të tij t’i shqiptohet një masë tjetër më e butë alternative, duke u bazuar në nenin 173 paragrafi 1 të KPPRK-së, raporton Betimi për Drejtësi.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 7 shkurt 2022, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Gëzim Hida, me arsyetimin se nga koha e papërcaktuar deri më 6 shkurt 2022, në hyrje të fshatit Karaçevë e Poshtme të Kamenicës, në lokalin me material të fortë që gjendet në rrugën “Novosellë – Karaçevë e Poshtme”, në vazhdimësi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për personin tjetër, ka organizuar lojëra bixhozi dhe lojëra fati, lojëra në kundërshtim me ligjin për parandalimin e lojërave të fatit Nr.06/L-155.

Me këtë, ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, nga neni 294 paragrafi 2, lidhur me nenin 77 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme prej gjashtë muajve deri në pesë vjet./Gazeta Sinjali/