Gjykata e Lartë në Beograd, mohon se është njoftuar për gjetjen e mbetjeve mortore në afërsi të Rashkës në Serbi, shkruan Gazeta Sinjali.
Mbetjet mortore të cilat janë gjetur më 16 nëntor, dyshohet se i përkasin viktimave shqiptare nga Kosova. Por, Gjykata njofton se në vitin 2020, Prokuroria e Krimeve të Luftës nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë për urdhër të paraburgimit të ndonjë personi.
“Prokuroria e Krimeve të Luftës nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë në Gjykatën e Lartë në Beograd për të urdhëruar paraburgim ndaj ndonjë personi të akuzuar për kryerjen e veprimeve për të cilat po kërkoni informacion, as nuk ka paraqitur ndonjë aktakuzë në Gjykatë, në Dhomën e Krimeve të Luftës në Beograd gjatë vitit 2020, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ndonjë person ka kryer një krim në lokacionin Kizhevak”, tha Gjykata e Lartë për REL-in.
Por, nga Prokuroria e Krimeve të Luftës në Beograd, kanë thënë se janë në dijeni se në një vend afër Rashkës në Serbi janë gjetur mbetjet mortore, për të cilat dyshohet se janë të viktimave shqiptare nga Kosova.
“Procedura kalon në juridiksionin e Gjykatës së Lartë në Beograd, përkatësisht, Departamenti i krimeve të luftës”, thanë nga Prokuroria.
Informacionin mbi zbulimin e mbetjeve mortore në vendin e quajtur Kizhevak, afër Rashkës, fillimisht më 16 nëntor e bëri të ditur drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Arsim Gërxhaliu.
Ai konfirmoi se bëhet fjalë për mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës.
Më tej, këtë lajm e konfirmoi edhe kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur në Qeverinë e Serbisë, Velko Odalloviq.
Ai shpjegoi se kërkimet në këtë lokalitet kanë nisur që dhjetë ditë, ndërkaq mbetjet e para mortore u gjetën më 16 nëntor.
Ai gjithashtu njoftoi se zyra e prokurorit përkatës dhe gjykatësi do të përcaktojnë dinamikën e të gjitha aktiviteteve dhe masave që duhen ndërmarrë në atë vend.
Odalloviq po ashtu tha se ky lokalitet ishte i njohur për autoritetet që nga viti 2015 dhe se edhe më herët ishin bërë kërkime aty./Gazeta Sinjali/