image Gjuriq tregon kërkesën e Serbisë në dialog me Kosovën

Politikë

Gjuriq tregon kërkesën e Serbisë në dialog me Kosovën

news image

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se delegacioni i Serbisë për dialog me Kosovën do të kërkojë respektimin e të drejtës ndërkombëtare.

Kjo e drejtë, thotë ai, nënkupton mbrojtjen e monumenteve të shenjta serbe në Kosovë dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

“Kemi shumë argumente që mund t’i paraqesim kur bëhet fjalë për fushën e së drejtës ndërkombëtare”, tha Gjuriq për ‘TV Prva’, duke shtuar se “e drejta ndërkombëtare flet qartë për paprekshmërinë e kufijve të shteteve sovrane”.

Ai përkujtoi se bashkësia ndërkombëtare, ushtarakisht dhe politikisht, ishte një aktor në luftën në Kosovë.

“Pa pjesëmarrjen e tyre aktive [bashkësia ndërkombëtare], nuk është reale të presim bisedime. Serbia dëshiron të flasë në mënyrë racionale dhe serioze dhe ka përgatitur një paketë serioze për krijimin e bashkëpunimit shumë më të mirë ekonomik dhe lidhjeve infrastrukturore”, tha Gjuriq.

“Ne nuk mund të ndikojmë në të kaluarën, por duhet dhe mund të ndikojmë në të ardhmen”, tha ai./Gazeta Sinjali/