image Gjuriq thotë se Kosova duhet të përjashtohet nga UEFA dhe FIFA

Rajon

Reagim/ Gjuriq thotë se Kosova duhet të përjashtohet nga UEFA dhe FIFA

news image

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka reaguar pasi Crvena Zvezdas nuk iu lejua të hynte në Kosovë për ta zhvilluar ndeshjen e Kupës së Serbisë kundër Trepçës ilegale.

Gjuriq ka thënë se Kosova duhet të përjashtohet nga UEFA dhe FIFA.

“Prishtina i ka goditur themelet e futbollit evropian dhe sportit botëror me këtë veprim agresiv politik. Ata duhet të “fluturojnë” nga UEFA dhe FIFA, ku s’duhet të kishin qenë fare”, ka deklaruar Gjuriq.

Ai tha se kjo ndeshje kishte qëllim promovimin e sportit dhe jo atë politik.

“Ky është një tjetër tentim i Prishtinës për ta larguar Serbinë nga Kosova e Metohija në çdo mënyrë simbolike të mundshme, edhe kur ndeshja kishte qëllim promovimin e sportit dhe jo atë politik”, ka thënë Gjuriq.

Crvena Zvezda po planifikonte të luante ndeshjen e raundit të 1/16 në kuadër të Kupës së Serbisë kundër Trepçës ilegale në Zveçan, raporton lajmi.net.

FFK-ja kërkoi nga FIFA dhe Policia e Kosovës që të pengojë zhvillimin e kësaj ndeshjeje, duke u thirrur në të drejtën e garantuar si organizatore e vetme e garave të futbollit në territorin e Kosovës.

Por FIFA, befasisht, mori qëndrim që shkon në favor të Serbisë dhe në dëm të futbollit kosovar dhe FFK-së – mirëpo në anën e tyre kishte Policinë, që pengoi hyrjen e serbëve në Kosovë.

Insistimi i FFK-së për të mos e lejuar zhvillimin e kësaj ndeshjeje mbështetet edhe nga statutet e UEFA dhe FIFA-s, përkundër pretendimeve të Gjuriqit./Gazeta Sinjali/