Nuk iu prit shumë Gjuriqit që të reagojë ndaj dorëzimit që bëri Ministri në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli në prokurori për krimet e luftës të kryera nga serbët në Kosovë. Gjuriq tërë këtë e quajti si fushatë shoviniste, jo për herë të parë ofendoi zyrtarë kosovarë
Në deklaratën me shkrim të së ashtuquajturës ‘Zyre për Kosovë e Metohi’ ai pretendon se ministria e Pacollit nuk do të duhej të ekzistonte sipas rezolutës 1244, si dhe shtoi se Pacolli “po gënjen për të gjitha”, si për numrin e shteteve që e kanë pranuar Kosovën, si dhe për valën e tërheqjeve të tyre.
“Tani pasi kuptoi se është mposhtur në rrafshin ndërkombëtar, po provon të nisë fushatë për kthimin në të kaluarën si dhe të gërmoj në varre, por vetëm nga një anë e palëve në konflikt, duke treguar me këtë se është shërbëtor besnik i politikës së shovinizmit dhe izolimit”, shkruan Gjuriq pa takt fare.
Ai shtoi se Pacolli sot është “një prej bajraktarëve të një fushate shoviniste dhe më primitiven e cila tërësisht anashkalon faktet historike dhe me një cinizëm të pafund dhe jo njerëzor mohon krimet e UÇK-së terroriste” tha Gjuriq si një shërbëtor i mirë i qëndrimit të Millosheviqit dhe mohimit të krimeve në vazhdimësi nga pala serbe.
“Vetëm në një realitet të shtrembëruar, në të cilin është e mundshme që Ivan Todosijeviq të dënohet me dy vite burg pasi tha të vërtetën, e njerëzit si Pacolli mund të shtiren si altruistë e të drejtë e ti shesin dikujt mësime për humanizmin dhe drejtësinë” tha Gjuriq.