Ambasadori i Serbisë në Washington, Marko Gjuriq ka deklaruar për mediat serbe se ata do e analizojnë me kujdes urdhrin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i cili përmes një dokumenti ka paralajmëruar se do të ndërmerren masa nga SHBA-ja ndaj atyre të cilët nuk respektojnë disa marrëveshje ndërkombëtare dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara, transmeton Gazeta Sinjali.
Gjuriq ka deklaruar për mediat serbe se urdhri i Presidentit të SHBA-së është kërcënim ndaj atyre të cilët dëshirojnë shkatërrimin e Republikës Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë dhe është kërcënim edhe ndaj atyre të cilët dëshirojnë ndryshimin e kufijve ngase Kosova me rezolutën 1244 të OKB-së është pjesë e Serbisë. Ai është i kënaqur që Presidenti Biden ka përmendur rezolutën 1244.
“Duke e gjykuar se është përmendur respektimi i rezolutës 1244 dhe Marrëveshja e Dejtonit personalisht besoj se autorët kur e kanë thënë këtë e kanë pasur në mendje ata të cilët avokojnë për shkatërrimin e Republikës Srpska dhe ndryshimin e kufijve të Serbisë dhe dihet që Kosova është pjesë e jona. Ne jemi pjesë e Kombeve të Bashkuara. Kjo është për separatistët në Kosovë dhe për ata në Bosnje”, ka thënë ai.