Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, në një intervistë të dhënë për mediumin kroat, jutarnji.list ku ka folur edhe rreth marrëdhënieve mes Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë.
Ai ka thënë se historia e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, se ai ka qenë nën presion për ta njohur pavarësinë e Kosovës, po përflitet në mediat e Beogradit për të fituar pikë politike.
“Kjo histori është e ekzagjeruar. Ata gjoja po luftojnë për ta kthyer Kosovën dhe nuk do të kishte ndëshkim më të madh për Serbisë sesa që dikush t’ua plotësonte këtë atyre. Ata do ta donin Kosovën, por pa shqiptarë. Sikur Malin e Zi pa malazezë”, ka thënë Gjukanoviq.
Gjukanoviq thotë se presidenti serb, shpesh kritikon qeverinë e mëparshme në Serbi për “lëshimin e Malit të Zi” në 2006.
Presidenti malazez gjithashtu ka folur edhe për zgjedhjet në Mal të Zi, duke thënë se shtetit i duhet një qeveri kombëtare sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe se qytetarët do të jenë ata që do të vendosin se kush do të jetë në krye të kësaj qeverie /Gazeta Sinjali/