image Gjithçka që ndodhi mbrëmë pas publikimit të rrahjes mes Molliqajt e Abazit në Gazetën Sinjali

Kosovë

Reagime/ Gjithçka që ndodhi mbrëmë pas publikimit të rrahjes mes Molliqajt e Abazit në Gazetën Sinjali

news image

Gazeta Sinjali ka publikuar mbrëmë pamjet ekskluzive të rrahjes mes kandidatëve për deputetë, Dardan Molliqaj dhe Haki Abazi e cila ndodhi rreth tri javë më parë në Fushë Kosovë. Këto pamje shkaktuan “tërmet” në mediat e Kosovës, rajonit dhe u shpërndanë në rrjetet sociale nga qindra qytetarë. Menjëherë nisën akuzat ndërmjet zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre të Partisë Socialdemokarate. Për videon u deklaruan edhe Dardan Molliqaj e Haki Abazi, ndërsa zyrtari i PDK-së, Rexhep Hoti ndryshoi deklaratën e dhënë pas rrahjes.

Lajmi për rrahjen e Dardan Molliqajt dhe Haki Abazit bëri bujë në media. Pas këtij incidenti, Dardan Molliqaj kishte thënë se asgjë nuk ka ndodhur jashtë studios, “përveç një debati me pak tensione që ishte vazhdimësi e debatit publik”.

Ndërsa mbrëmë Molliqaj tha tjetër çka: “Shumë mirë që dolën videot. Tash ndalen të gjitha spekulimet”.

Për pamjet e publikuara reagoi edhe Haki Abazi. Ai tha se incidenti ishte sulm ndaj tij. “..pas këtij sulmi ashtu siç kam deklaruar edhe në natën që ka ndodhur ngjarja, unë kam respektuar procedurat dhe kam pritur policinë”.

Për videon, madje, Lëvizja Vetëvendosje bëri një reagim publik, duke bërë thirrje që të merren masa ndaj Dardan Molliqajt.

“Pamjet tregojnë sulmin brutal ndaj kandidatit për deputet të Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazit, nga ana e kandidatit të AAK-së Dardan Molliqaj dhe truprojës së tij Fatos Sahitit. Ky sulm nga ana e dy personave, njëri prej të cilëve shihet duke vënë dorën në brez kërcënueshëm, vërteton atë që kemi thënë prej fillimit. Haki Abazi është sulmuar në mënyrë rrugaçërore, e nga prapa shpine”, thuhej në reagimin e VV-së.

Pamjet i komentoi edhe Glauk Konjufca, i cili tha se Dardan Molliqaj nuk e ka vendin në studio televizive por në bankat e drejtësisë. “…është maskarallëk dhe rrugaqëri e Dardan Molliqajt, që po e aplikon qysh kur i dështoi projekti me shkatërru VV-në”, u shpreh Konjufca.

E për deklaratën e Konjufcës reagoi kandidati për deputet nga koalicioni AAK-PSD, Frashër Krasniqi.

“Glauk Konjufca e quajti Dardan Molliqajn rrugaç e bandit dhe kërkoi largimin e tij nga lista e kandidimit. Çfarë hipokrizie!”, tha Krasniqi.

Ndërsa, pamjet demantuan Rexhep Hotin e Partisë Demokratike të Kosovës. Hoti u kishte thënë gazetarëve se nuk kishte qenë i pranishëm në momentin e rrahjes së Dardan Molliqajt me Haki Abazin, ndërsa mbrëmë ndryshoi deklaratën.

“Pas publikimit të videos së përleshjes ndërmjet Dardan Molliqajt dhe Haki Abazit, ndjej obligim moral për një sqarim të shkurtë. Unë kam dhënë deklaratën time në lidhje me rastin në polici, andaj, as atëherë, as sot nuk dua të komentoj atë çka shkruajnë mediet apo ndonje subjekt politik, sepse kam kryer obligimin ligjor si dëshmitar”, tha ai.

Sidoqoftë, ky rast është duke u trajtuar nga ProkuroriaThemelore në Prishtinë dhe deri më tash janë ndërmarrë një varg veprimesh hetimore.

Rasti u komentua edhe në mediat e Shqipërisë të cilat më shumë i dhanë hapësirë faktit se në këtë rrahje u përfshi, Dardan Molliqaj, burri i ministres së Arsimit në Shqipëri, Besa Shahinit.

/Gazeta Sinjali/