Në orët e mbrëmjes së sotme ka ndodhur një vrasje e dyfishtë në Pejë. Të vrarë kanë mbetur kandidati për kryetar të Pejës nga radhët e PDK-së, Astrit Ademaj, dhe ish-kandidati për kryetar të Deçanit nga PDK, Blerand Kadrijaj. I plagosur ka mbetur vëllai i Astrit Ademajt, Avni Ademaj, i cili tashmë është arrestuar.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin Pejës, Driton Rugova, derisa ka konfirmuar se dy nga të plagosurit nuk kanë arritur t’i mbijetojnë plagëve.
“Ngjarja ka ndodhur në afërsi të shkollës ekonomike “Ali Hadri” në Pejë. Janë dërguar në spital të Pejës, por që dy prej tyre nuk kanë arritur t’i mbijetojnë plagëve. Forenzika është në vendin e ngjarjes për të kuptuar se si ka ndodhur e gjithë ngjarja”, tha zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës.
Edhe Prokuroria e Pejës e ka konfirmuar rastin: “Në këtë ngjarje, kanë mbetur dy persona të vrarë dhe një i plagosur si pasojë e të shtënave me armë”.
Lidhur me rastin ka ardhur edhe reagimi nga PDK.
“Partia Demokratike e Kosovës është e tronditur nga lajmi tragjik për vrasjen e dyfishtë në Pejë, të kandidatit tonë për kryetar të Komunës së Pejës, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijajt, ish kandidat për Kryetar të Komunës së Deçanit më 2017. Ju shprehim ngushëllimet më të ndjera familjeve të tyre. Në këto momente të rënda, bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre e lutemi që të gjejnë forcën që të përballin humbjen e rëndë.”