image Gjini takon ambasadorin e Austrisë: Jam i gatshëm të kontribuoj në zhbllokimin e ngërçit institucional

Politikë

Gjini takon ambasadorin e Austrisë: Jam i gatshëm të kontribuoj në zhbllokimin e ngërçit institucional

news image

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka zhvilluar takim me ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, ku kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe situatën pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Gjatë takimit, Gjini ka bërë të ditur se e ka informuar ambasadorin austriak për qëndrimin e Aleancës dhe gatishmërinë e saj për të dhënë kontribut në tejkalimin e ngërçit institucional.

Sipas tij, ky kontribut mund të jepet vetëm për një agjendë që garanton zhvillim, stabilitet dhe siguri kombëtare.

“E njoftova ambasadorin se Aleanca është e gatshme të japë kontributin e saj në zhbllokimin e ngërçit institucional, por vetëm për një agjendë që garanton zhvillim dhe siguri kombëtare”, ka shkruar Gjini.

Në takim, kryetari i AAK-së ka shprehur edhe mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj Kosovës në proceset e shtetndërtimit dhe integrimit euroatlantik.

“Falënderova ambasadorin Schnetzer për mbështetjen e vazhdueshme që Austria i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës”, ka deklaruar Gjini.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/