image Luftimet ndalen, por pa shenja kompromisi dhe me çështje të pazgjidhura për Hormuzin

Botë

Luftimet ndalen, por pa shenja kompromisi dhe me çështje të pazgjidhura për Hormuzin

news image

Luftimet kanë pushuar për momentin, por nuk ka shenja për një marrëveshje kompromisi, ndërsa çështjet kryesore rreth ngushticës së Hormuzit mbeten të pazgjidhura.

Irani e sheh kontrollin mbi ngushticën e Hormuzit si arritjen më të madhe të luftës dhe duket i vendosur ta mbajë atë, edhe nëse kjo rrezikon të prishë marrëveshjen e armëpushimit.

Sipas ekspertëve, qëndrimi i Teheranit është se administrata Trump po përpiqet ta rikthejë trafikun detar në këtë zonë në nivelin e para-luftës, pa e pranuar rolin dhe ndikimin e ri të Iranit atje.

Irani ka deklaruar se anijet që kalojnë përmes ngushticës mund të përdorin vetëm rrugët detare të përcaktuara prej tij. Raundi i fundit i përleshjeve nisi pasi SHBA-ja u kundërpërgjigj ndaj Iranit, pasi ky i fundit kishte qëlluar ndaj anijeve që nuk kishin respektuar udhëzimet e tij.

Në qendër të konfliktit të ri janë interpretimet e ndryshme për pikën e pestë të Memorandumit të Mirëkuptimit. Kjo pikë thotë se Irani do të “marrë masa për kalimin e sigurt të anijeve tregtare” dhe do të bashkëpunojë me Omanin për “përcaktimin e administrimit të ardhshëm” të ngushticës. Megjithatë, ajo nuk i jep në mënyrë të qartë Iranit autoritet ekskluziv mbi trafikun detar.

“Mesazhi i Teheranit është i qartë: Ngushtica është e hapur, por jo sipas kushteve të SHBA-së”, shkroi Negar Mortazavi, drejtuese e Iran Podcast, në platformën X. “Trump nënshkroi një marrëveshje në letër, por tani po përpiqet ta zgjerojë atë në det. Irani po i rikthehet tekstit të marrëveshjes dhe po tregon se fuqia ushtarake nuk mund të ndryshojë atë që është negociuar.”

Paqartësitë në Memorandumin e Mirëkuptimit mund të kenë ndihmuar fillimisht në ndalimin e luftimeve, sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Por ato shumë shpejt u kthyen në problem, pasi të dyja palët filluan ta interpretonin marrëveshjen sipas interesave të tyre.

Për të parandaluar prishjen e procesit të armëpushimit, të dyja palët duhet të ndalojnë përpjekjet për t’ia imponuar njëra-tjetrës interpretimin e tyre të pikës së pestë, të paktën derisa të vazhdojnë negociatat, vlerësojnë ekspertët. Kjo do të kërkonte që Irani të ndalojë sulmet ndaj anijeve dhe SHBA-ja të mos insistojë për rrugë alternative, të paktën për momentin.

Ndërmjetësuesit thonë se po përpiqen t’i rikthejnë të dyja palët në tryezën e negociatave. Deri tani nuk ka pasur shenja për kompromis, por armët duket se janë heshtur – të paktën për sot, shkruan CNN.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/