image Gjimshit ylli mbrëmjes, ia siguron fitoren Atalantas kundër Olympiacosit/ Triumfojnë edhe Porto e Sevilla

Futboll

Gjimshit ylli mbrëmjes, ia siguron fitoren Atalantas kundër Olympiacosit/ Triumfojnë edhe Porto e Sevilla

news image

Duele të bukura dhe përmbysje në katër takimet e dyta të ditës së sotme në Europa League.

Atalanta triumfoi 2-1 përballë Olympiacos, duke hedhur një hap drejt kalimit në raundin e 1/8-ve.

Berat Gjimshiti zhvilloi një ndeshje të madhe, realizoi dy gola brenda tre minutave – golat e parë sezonalë me ekipin nga Bergamo dhe i dhuroi fitoren ekipit të tij.

Skuadra greke kaloi në avantazh pas 15 minuta loje falë golit të brazilianit Tiquinho Soares, por 28-vjeçari i kombëtares kuqezi e përmbysi i vetëm këtë ndeshje.

Gjimshiti kërceu bukur me kokë në minutën e 61-të. Topi në rrjetë dhe lojtari shqiptar në festë. Më e bukura nuk kishte ardhur ende. Mbrojtësi nga Lugina tundi përsëri rrjetën greke me një diagonale potente, duke dërguar në ekstazë tifozët e pranishëm “Gewiss Stadium”.

Me përmbysje dhe me të njëjtin rezultat fitoi edhe Porto përballë Lazios. Thomas Strakosha luajti si titullar për miqtë, ndërsa Elseid Hysaj u fut në fushë në minutën e 72-të. Mattia Zaccagni kaloi bardhekaltrit e Sarrit në avantazh (23’), por “Dragonjtë e Oportos” ia dolën të triumfonin falë dygolëshit të spanjollit Toni Martinez.

Barazim spektakolar u regjistrua në Leipzig-Sociedad. Përballja e luajtur në Gjermani u mbyll me rezultatin 2-2, me dy nga golat që e realizuan nga pika e bardhë. Robin Le Normand dhe Mikel Oyarzabal (pen) shënuan për skuadrën baske, ndërsa nënkampionët e Gjermanisë u përgjigjën me Christopher Nkunku dhe Emil Forsberg (pen).

Sevilla është ekipi ekspert në këtë kompeticion. Rekordmenët e Europa League mposhtën 3-1 danezët e Randers në takimin e luajtur në Andaluzi, aty ku fitorja u vulos në pjesën e parë falë rrjetave të Ivan Rakitic (pen), Lucas Ocampos dhe Anthony Martial, me sulmuesin francez që gjeti golin e parë me ekipin e Lopeteguit. /Gazeta Sinjali Sporti/