image Gjilanasja që mori në duar sigurinë e Microsoftit

Kosovë

Gjilanasja që mori në duar sigurinë e Microsoftit

news image

Kukullat e saj nuk mbijetonin asnjëherë gjatë. Që kur mban mend, Teuta Hyseni thotë se gjithmonë i priste lodrat e saj në gjysmë për të parë se si ishin të ndërtuara nga brenda.

Mijëvjeçarin e ri në shtëpinë e saj në Gjilan e kishin pritur me një kompjuter të ri, Pentium 3, e të njëjtën kureshtje ia kishte ngjallur edhe teknologjia që e fuqizonte atë.

E lindur në një familje atëherë pesëanëtarëshe, Teuta përshkruhej gjithmonë si një vajzë e urtë, asnjëherë e lazdruar dhe shumë e lidhur pas nënës së saj. Diçka tjetër që e karakterizonte atë ishte edhe pasioni për video-lojërat, si Counter Strike dhe Need for Speed, i ngjallur nga koha që kalonte me dy vëllezërit e saj dhe gatishmëria për t’i luftuar kornizat tradicionale gjinore.

Këto karakteristika e kanë ndjekur Teutën gjatë gjithë rrugëtimit të saj jetësor: nga shkollimi fillor dhe i mesëm në Gjilan, ai universitar në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e deri te punësimi në gjigantin amerikan, Microsoft, si inxhiniere e sigurisë kibernetike.

Dashuria për numrat që ia përcaktoi fatin në jetë

Prej kur kishte filluar shkollimin, Teuta gjithmonë preferonte të zgjidhte probleme matematikore, para se të shkruante ndonjë ese ose të lexonte teori. Kjo e kishte shtyrë atë që ta zgjidhte inxhinierinë për karrierën e saj, e jo drejtësinë që ishte opsioni i saj i dytë, apo mjekësinë që ishte preferencë e familjes së saj.

Edhe tani, ajo preferon të merret vesh me të tjerët përmes numrave, në vend të fjalëve, pasi thotë se i mban mend më lehtë.

“Është një gjë shumë qesharake. Në autostradat në Amerikë, secila dalje e ka numrin dhe emrin. Unë kurrë nuk mund ta mbaj mend emrin e daljes, gjithmonë me numra shkoj. Njerëzit zakonisht e mbajnë mend emrin, unë vetëm them ‘tregoma numrin’”, thotë Teuta duke qeshur, teksa rrëfen për REL-in jetën e saj në San Francisko të SHBA-së.

/GazetaSinjali/