Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar një donacion nga Gjermania, një pajisje për pastrimin e ujit e cila u cilësua si shumë e nevojshme për FSK-në dhe qytetarët e Kosovës.
Këtë pajisje e dorëzoi në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë sekretari parlamentar i shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes në Gjermani, Thomas Silberhorn i cili tha se FSK është në rrugën e duhur drejt transformimit.
Donacioni me pajisjen e ujit, sipas Silberhornm është dëshmi për thellimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Gjermanisë.
“Ne kemi një bashkëpunim të mirë me Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe është një mesazh i rëndësishëm jo vetëm për njerëzit e Kosovës, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare, se ju jeni në një rrugë të mirë për të transformuar Forcat e Sigurisë të Kosovës në mënyrë që të jeni në gjendje të mbroni njerëzit tuaj. Ky proces i transformimit është në koordinim të mirë dhe koordinim të ngushtë me NATO-n, dhe ne jemi në një proces të vazhdueshëm të projekteve dypalëshe midis Kosovës dhe Gjermanisë, dhe këtë mëngjes ne diskutuam në detaje se si të thellojmë bashkëpunimin tonë dypalësh si në arsim ashtu edhe në pajisjet e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Kjo pajisje e trajtimit të ujit është një shembull i mirë i bashkëpunimit tonë dypalësh, që tregon rastet e bashkëpunimit të thellë dypalësh midis Kosovës dhe Gjermanisë, por edhe rolin e Forcave të Sigurisë së Kosovës që është të mbrojë qytetarët kosovarë në rast krize”, ka thënë Silberhorn.
Sekretari gjerman është pritur në takim nga zëvendësministri i Mbrojtjes në Kosovë, Shemsi Syla dhe zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral Enver Cikaqi.
Syla ka theksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve do të rritet dhe ekipet e ekspertëve do të konkretizojnë planet që parashihen në memorandum bashkëpunimi.
“Me zotin sekretar kemi diskutuar edhe fazat e zhvillimit të FSK-së dhe përkushtimin e qeverisë sonë që FSK të jetë forcë e pajisur, e trajnuar e ndërvepruese me shtetet anëtare të NATO-s. Ne jemi falënderues qeverisë dhe shtetit gjerman për mbështetjen e vazhdueshme që na ka dhënë dhe çdo herë ka qenë krah i fortë i Republikës së Kosovës. Gjermania është një nga kontribuuesit më të rëndësishëm në ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve dhe aftësive të forcës së Sigurisë së Kosovës, duke na mbështetur me edukim, trajnim të pjesëtarëve të FSK-së, shkëmbim të përvojave ndërmjet njësive dhe sektorëve, dërgimin e këshilltarëve bilateral, donacione në formë pajisje e fondesh”, ka thënë Syla.
Ndërsa lidhur me pajisjen për pastrimin e ujit, zëvendësministri i Mbrojtjes tha se e njëjta është tejet e nevojshme për FSK-në dhe qytetarët e Kosovës./kp/
Pajisja e dhuruar nga Gjermania përveç qëllimeve ushtarake është e destinuar edhe për raste urgjente civile.
Të tilla pajisje për të trajtuar ujin, Gjermania ka përdorur në korrik të këtij viti kur është përballur me vërshime./GazetaSinjali/