image Gjermanët mendojnë se Trumpi është më i rrezikshëm se Putini dhe Kim Jong-un

Botë

Studim/ Gjermanët mendojnë se Trumpi është më i rrezikshëm se Putini dhe Kim Jong-un

news image

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shihet më i rrezikshëm se Vladimir Putin i Rusisë apo udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un, sipas një studimi të YouGov në të cilin u morën në pyetje më shumë se 2,000 gjermanë.

Pjesëmarrësit e panë gjithashtu Trump më të rrezikshëm edhe se udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei dhe Presidenti Kinez Xi Jinping, sipas sondazhit, i cili ishte porositur nga DPA.

Dyzet e një përqind thanë se Trump përbën kërcënimin më të madh për paqen globale nga pesë liderët botërorë.

Shtatëmbëdhjetë përqind zgjodhën Kim-in; Putin dhe Khamenei me 8 përqind; dhe Xi konsiderohej si më pak kërcënues, me 7 përqind.

Të dhënat treguan pak ndryshime në vitin e kaluar, kur një sondazh i ngjashëm i YouGov u kërkoi të anketuarve të zgjidhnin midis vetëm Trump, Kim dhe Putin. Në atë kohë, 48 përqind e të anketuarve thanë se presidenti amerikan ishte kërcënimi më i madh.

Sondazhi i këtij viti u realizua midis 16-18 dhjetorit dhe përfshinte intervista me 2.024 persona në Gjermani.

Një sondazh i veçantë i kryer nga instituti Kantar për grupin e mediave Funke të Gjermanisë zbuloi se gjermanët kishin më shumë të ngjarë t’i besonin presidentit francez Emmanuel Macron (57 përqind) sesa udhëheqëses së tyre, kancelares Angela Merkel (53 përqind). /Gazeta Sinjali/