Një pjesë e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit, janë ngritur mbi toka të papërshtatshme, si në zonën e ish-Kënetës apo zonën e Plazhit në Durrës. Për gjeologun Ismail Hoxha, kjo ka ndikuar në dobësimin e cilësisë së ndërtimeve.
“Mund të mendohet që ka një lidhje të përbashkët midis terrenit ku është ndërtuar dhe problemeve konstruktive që kanë pasur. Bëhet fjalë për depozitime kuaternare, në përgjithësi jo të forta”, thotë Ismail Hoxha, gjeolog i Institutit të Gjeoshkencave.
Në të shkuarën në këto zona nuk lejohej ndërtimi, një standard që sipas gjeologut duhet të ishte ndjekur pas viteve 1990.
Gjatë diktaturës, ndërtimet ishin të kufizuara, por është zonë ku duhen maksimalisht me tre kate, dhe me cilësi shumë të mirë”, vijon gjeologu.
Tashmë në këto zona ka nisur shembja e kontrolluar e ndërtesave të shpallura të pabanueshme, ndërsa për pjesën tjetër do të vendoset nëse do t’i nënshtrohen rikonstruksionit. /Gazeta Sinjali/