Kohëve të fundit, është rritur numri i rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë. Fillimi i kësaj vale konsiderohet të jetë paraqitja e rasteve të para me variantin Omicron, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas një njoftimi të IKShPK-së, shumica e rasteve të reja me COVID-19 janë me variantin Omicron.
Kjo situatë alarmante ka ndikuar edhe në procesin mësimor, pasi shumë shkolla nga mësimi me prani fizike kanë kaluar në mësim online.
Vetëm sot, 6 shkolla në nivel vendi kanë njoftuar se nga e hëna do të vazhdojnë me skenarin C- online.
Tri nga shkollat janë të komunës së Vitisë:
1. SHFMU “Dëshmorët e Vitisë” – në Viti
2. SHFMU “Nazmi Pajaziti” – në Radivojc
3. SHFMU” Skender Emerllahu” – në Ramjan
Ndërsa dy shkolla tjera janë në Prishtinë. Bëhet fjalë për shkollat fillore “Dardania” dhe “Mehmet Gjevori”.
“Ju njoftojmë se pas rrethanave të krijuara në shkollë nga virusi COVID-19 dhe numrin e madh të rasteve të nxënësve dhe mësimdhënësve të infektuar, Task Forca e shkollës mori vendim që mësimi të vazhdojë me SKENARIN C (online) nga data 24.01.2022 deri më 31.01.2022”, thuhet në njoftimin e shkollës “Dardania”.
“Për shkak se në shkollën tonë është rritur numri i nxënësve dhe mësimdhënësve të infektuar me Covid-19, Task Forca e Shkollës në bazë të udhëzimeve të IKSHP-së, vendosi që javën e ardhshme prej datës 24. 01. 2022 deri më 29. 01. 2022 mësimi të mbahet sipas skenarit C, pra mësimi të zhvillohet online. Orarin mësimor do ta keni në grupet e klasave përkatëse, të dërguar nga mësueset klasore dhe kujdestarët e klasave“, thuhet në njoftimin e shkollës “Mehmet Gjevori”.
Ndërsa një shkollë tjetër që ka mbyllur dyert për nxënësit e saj, është ajo “Idriz Ajeti” që është aneks i shkollës fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë.
Task Forca në nivel të MASHTI, në mbledhjen e mbajtur më 20 janar 2021, nxori rekomandimin që të shqyrtohet mundësia për kalim të klasës përkatësisht shkollës në skenarin C (mësimi online) në njërin nga këto raste:
Nëse brenda 3 ditësh konfirmohen 2 ose më shumë raste të infektimit të nxënësve me virusin SARS-Covid-19 brenda një klase;
Nëse më shumë se 5% e nxënësve të shkollës janë aktualisht të infektuar me virusin SARS-Covid-19;
Nëse shkalla e infeksionit në mesin e personelit të shkollës është e tillë që mungesat nga puna pamundësojnë organizimin e procesit mësimor me prezencë fizike.