Gjatë prillit të këtij viti Kosova ka eksportuar mallra në vlerë 61.1 milionë euro, ndërsa ka importuar mallra në vlerë 384.5 milionë euro, shkruan Gazeta Sinjali.
“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 100.5% në muajin prill 2021, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2020, gjegjësisht në vlerë prej 323.4 milionë Eurosh, krahasuar me deficitin prej 161..2 milionë Eurosh në vitin 2020. Eksporti mbulon importin me 15.9%”, thuhet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Eksportet e Kosovës me vendet e BE-së arritën në 18.9 milionë euro, ndërsa Italia ishte partnerë kryesorë me 9.1 për qind, pasuar nga Gjermania me 7.8 për qind e Bullgaria me 2.6 për qind.
Ndërkohë me vendet e CEFTA-s, ishte 23.5 milionë euro, ku Shqipëria ishte në krye me 15.6 për qind, pasuar nga Maqedonia e Veriut (11 për qind), Serbia (6.3 për qind) e Mali i Zi (3.4 për qind).
Me vendet tjera të botës ishte 18.6 milionë euro, ku partnerë më të rëndësishëm ishin SHBA-ja 15.9 për qind dhe Zvicra 7.6 për qind.
“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 36.0% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 18.1% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 11.0% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.0% e përbëjnë produktet minerale; 5.0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 4.8% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij”, thuhet nga ASK.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 174.7 milionë Euro, ose 45.4% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 85.3%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (14.7%), Italia (5.4%), Sllovenia (4.5%), Greqia (3.3%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin prill 2021, arritën në 76.7 milionë Euro, ose 20.0% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 103.8%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.8%), Shqipëria (5.9%), dhe Maqedonia e Veriut (5.4%).
Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 133.0 milionë Euro, ose 34.6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.0%) dhe Kina (7.7%)./Gazeta Sinjali/