I ngarkuari me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, është pritur sot në një takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me të cilën diskutuan për zhvillimet e fundit në vend, pas vendimit për reciprocitet të targave me Serbinë.
Diplomati amerikan deklaroi se për ShBA-në, sovraniteti i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, duke shtuar se dialogu është mënyra e duhur për të vazhduar tutje.
Ndërsa, presidentja Osmani akuzoi edhe një herë Serbinë se po tenton ta destabilizojë situatën, siç tha ajo, në vazhdën e përpjekjeve ruso-serbe për zhbërjen e të arriturave të ShBA-së, BE-së, dhe NATO-së në Kosovë dhe rajon.
“Osmani tha se vendimi i institucioneve të Kosovës për zbatimin e reciprocitetit me targa është i ligjshëm. Ajo vuri theksin te fakti se zbatimi i kësaj mase nga institucionet tona është në përputhje të plotë me marrëveshjen e Brukselit, e cila nuk është zbatuar nga ana e Serbisë”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga Presidenca.
Presidentja Osmani e bëri të qartë po ashtu që Kosova në asnjë moment nuk ka qëllim të eskalojë situatën. Në veçanti, ajo potencoi se përkushtimi kryesor i institucioneve të vendit është mirëmbajtja e rendit dhe ligjit si dhe mbrojtja e secilit qytetarë në Republikën tonë.
Duke folur për procesin e dialogut, presidentja Osmani konfirmoi se Kosova mbetet e përkushtuar për vazhdimin e tij dhe ritheksoi rëndësinë e trajtimit të barabartë të palëve të përfshira në të./Gazeta Sinjali/