image Gërvalla: Anëtarësimi në KiE do të jetë hapi më i rëndësishëm pas Pavarësisë

Politikë

Gërvalla: Anëtarësimi në KiE do të jetë hapi më i rëndësishëm pas Pavarësisë

news image

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, sot është takuar me të Dërguarin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili aktualisht po qëndron në Kosovë për vizitë zyrtare, shkruan Gazeta Sinjali.

Pas këtij takimi, Gërvalla ka dalë në një konferencë për media, ku tha se ka pasur nderin që ta dorëzojë kërkesën për anëtarësim në KiE.

Gjatë kësaj konference, Gërvalla tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është hapi më i rëndësishëm pas shpalljes së pavarësisë.

“Qytetarët e Kosovës, sipas sondazheve serioze ndërkombëtare të bëra në rajonin e Ballkanit, me mbi 90 % të përkrahjes për anëtarësim në BE dhe NATO janë thjesht qytetarët më pro evropianë të kontinentit tonë. Me emocione të veçanta dje kam pasë nderin të dorëzoj në sekretariatin e Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Kosovës në KiE. Anëtarësimi në KiE do të jetë për vendin tonë ndoshta hapi më i rëndësishëm që nga pavarësia e vitit 2008 në rrugën tonë drejt integrimeve evropiane”.

“Kosova është ndër shtetet e pakta dhe ndoshta është shteti i vetëm i cili në Kushtetutën e tij e ka inkorporuar drejtpërdrejtë Këshillin e Evropës dhe si pjesë të tij edhe Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Jemi shumë të lumtur që kërkesën tonë për anëtarësim gëzojmë përkrahje të gjerë politike brenda Këshillit të Evropës, prandaj jemi të kujdesshëm, mirënjohës dhe optimistë që homologët e mi në Këshillin Ministror me datën 20 maj të këtij viti do ta mirëpresin kërkesën tonë për anëtarësim”.

“Jemi dëshmitarë të ndryshimeve fundamentale në arkitekturën evropiane dhe marrëdhënieve globale ndërkombëtare. Kosova ka qenë dhe gjithmonë do të jetë pjesë integrale e Evropës dhe Perëndimit. Përfshirja e Kosovës në familjen e shteteve evropiane, në Këshillin e Evropës do të jetë kontribut i rëndësishëm për stabilitetin dhe më në fund paqen në Ballkan”.

/GazetaSinjali/