Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Marigona Geci edhe në seancën e sotme ka insistuar që të flasë për vrasjet e pasluftës në Kosovë.
Në fjalimin e saj, Geci tha se në Kosovë vrasësi dhe viktima mund të jenë heronj njëkohësisht.
“Ju po e shani familjen Jashari që nuk po mendon njëjtë si ju, po e shani djalin e Hamëz Jasharit, e nuk po e shani Gani Gecin. Vetëm në këtë vend, urdhërdhënësi i vrasjeve është hero dhe viktima është hero. Vetëm në këtë vend hero është Shaban Polluzha dhe vrasësi i tij, Fadil Hoxha. Vetëm në këtë vend është hero Haki Imeri dhe urdhërdhënësi për vrasjen e tij. Urdhërdhënësit dhe viktimat janë heronj”, tha Geci.
“Prandaj, unë nuk ia vlen me u marrë me juve. Çoni prej varri ata të cilët u vranë që ne të mos merremi me ata që na vranë”, tha ajo.
Në lidhje me fjalimin e saj, Geci replik mori nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Nura, i cili i quajti shpifje dhe trillime pretendimet e deputetes së LDK-së.
“Ka ardhë dita që t’i demaskojmë shpifjet dhe trillimet me fakte dhe me fuqinë e së vërtetës, ashtu siç e kemi demasku kolegun tuaj bashkëpartiak i cili sot sorollatet në vendet e dyta dhe të treta. E di besoj për kë e kam fjalën”, tha Nura.