Mbrëmë në “Top Story” është trajtuar tema e tërmetit dhe rrëfime personale të gazetarëve, personave të përfshirë dhe vullnetarëve që asistuan në nxjerrjen e personave të mbetur nën rrënoja.
Në këtë dokumentar, ishte dhe rrëfimi i gazetarit Muhamed Veliu, i cili ka raportuar çdo ditë nga vendngjarja. Veliu ka ndarë me qytetarët shqiptarë shumë emocione, lot gëzimi kur shpëtohej një jetë dhe lot trishtimi kur nga rrënojat dilnin trupa të pajetë.
Veliu ka veçuar rastin e të ndjerit Saimir Gregu, që humbi jetën në këtë tërmet tragjik që mori plot 51 jetë.
Teksa rrëfen se ishte shumë i lumtur kur ai u nxor i gjallë nga rrënojat, mes lotëve ai tregon trishtimin kur mori vesh që ai kishte humbur jetën në spital.
“Kur të gjithë morëm vesh se Saimir Gregu u zbulua i gjallë , pati duartrokitje, pati ovacion dhe në ato momente unë futem direkt në transmetim me kolegun Ilir Paçon. Dhe nis të përcjell, më në fund lajm i mirë, lajm i mirë nga Thumana se kisha raportuar deri ato momente vetëm lajme në seri: u gjet gjyshja, u gjet mbesa në krahun tjetër. Ishin lajme të kobshme. Kur morëm vesh se Saimiri ishte gjallë, kishte komunikuar me forcat e sigurisë, kishte ovacion dhe i them: Ilir, më në fund lajm i mirë nga Thumana, është gjetur i gjallë Saimiri. Vetëm disa minuta më pas, Saimiri del i gjallë me urgjencë transportohet, kaloi përpara nesh, çohet në spital dhe… të nesërmen, kishte ndërruar jetë. Ishte e rëndë.”
Teksa Veliu ka kujtuar edhe njëherë ato momente është përlotur duke risjellë ndjesitë e tmerrshme që edhe gazetarët në terren po përjetonin me ngjarjen e kobshme.
E ndërsa Gent Jakupi, vullnetar, tregon se shpesh herë ndihet edhe fajtor nëse s`ka bërë aq sa ka mundur. Nën ndjesitë e freskëta të nxjerrjes së shumë trupave, edhe Genti nuk mundet pa u përlotur:
“Mora vesh të nesërmen që ndërroi jetë. Fajësoj dhe vetën ndonjëherë. Mbase s`kam vepru shpejt, mjaftueshëm”