image Gashi: Serbia e futi në karantinë veriun, Kurti po struket duke emëruar borde me militantë

Kosovë

Politikë/ Gashi: Serbia e futi në karantinë veriun, Kurti po struket duke emëruar borde me militantë

news image

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se ka shkelur kushtetutën duke mos vepruar tani kur po cenohet territori i Kosovës, me karantinimin e komunave veriore me urdhër të Serbisë.

Gashi thotë se Kurti nuk po vepron siç e obligon Kushtetuta, kur siguria e sovraniteti janë në rrezik, por thotë se po struket në vendimet e tij duke emëruar militantët partiakë në bordet e ndërmarrjeve publike.

“Qeveria e Serbisë vendosi në karantinë veriun e Kosovës, përkatësisht Mitrovicën e Veriut dhe Zveçanin, kurse, kryeministri i shkarkuar është strukur në vendimet e tij kuturimthi rreth bordeve të ndryshme duke vendosur në mënyrë antiligjore militantë partiakë, sa për t’i rehatuar ata që i dështuan në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe jo vetëm kaq. Nuk veproi e as nuk po vepron siç e obligon Kushtetuta e Republikës së Kosovës, kur siguria dhe sovraniteti janë në rrezik”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Deputeti i PDK-së ka akuzuar Kurtin që i ka lënë pas dore qytetarët e veriut të Kosovës, pjesë për të cilën thotë se protestonte me sjellje “rrugaçërie”

“Ky kryeministër, i cili sa ishte në opozitë thyente institucionet e vendit me sjellje rrugaçërie, duke protestuar se kinse po na ndahet pjesa veriore e vendit. Pikërisht është ky i njëjti njeri që sot e harroi veriun, kurse qytetarëve atje ua ktheu shpinën”, ka shkruar ai.

Gashi ka thënë se qytetarët e veriut tani kanë edhe më shumë nevojë për përkrahje nga kryeministri dhe “dora e shtetit”, siç kanë edhe qytetarët në pjesët e tjera të territorit të Republikës së Kosovës.

“Si deputet i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kam për obligim t’ia rikujtoj e të kërkoj nga Kryeministri Kurti se, veriu i Kosovës është po ai i njëjti vend, sikur atëherë kur ishe në opozitë, si sot që je në krye të Qeverisë së Kosovës. Dallimi është veçse, tani qytetarët atje kanë nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen tuaj, kanë nevojë për dorën e shtetit të tyre. Ata kanë nevojë për gjëra elementare mjekësore, siç kanë nevojë edhe komunat tjera në jug, në lindje e në perëndim, të cilat as sot e kësaj dite nuk more mundin as t’i vizitojë, për ta parë nga afër gjendjen me të cilën ballafaqohen komunat dhe qytetarët e vendit në këtë kohë pandemie e në luftë me Covid-19”, shkruan Gashi.

Deputeti i PDK-së ka kërkuar gjithashtu që pakoja emergjente fiskale të dërgohet sa më parë për miratim në Kuvendin e Kosovës./Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/KujtimGashiOfficial/posts/3366284680066885