E ardhmja e Julian Alvarez vazhdon të jetë ndër temat më të diskutuara të merkatos së verës. Sulmuesi argjentinas i Atletico Madridit ka zgjuar interes nga disa prej klubeve më të mëdha në Evropë, ndërsa së fundmi në garë është përfshirë edhe Real Madridi.
Sipas raportimeve të gazetarit italian Gianluigi Longari, “Los Blancos” janë të gatshëm të ofrojnë rreth 150 milionë euro për kartonin e kampionit të botës me Argjentinën, shifër që përkon me kërkesat e Atletico Madridit.
Klubi madrilen deri tani ka mbajtur qëndrim të fortë, duke mos hapur negociata për lojtarin dhe madje raportohet se ka refuzuar një ofertë prej 100 milionë eurosh nga Barcelona. Megjithatë, hyrja e Real Madridit në garë mund të ndryshojë dinamikën e gjithë situatës.
Pavarësisht interesimit të madh nga kampionët e Evropës, thuhet se vetë Álvarez e preferon një transferim te Barcelona. Sulmuesi 25-vjeçar e sheh projektin sportiv të katalanasve si opsionin më të përshtatshëm për karrierën e tij.
Barcelona, nga ana tjetër, mbetet e vendosur për ta sjellë argjentinasin në “Camp Nou” dhe pritet të rikthehet me një ofertë të re në javët në vijim. Drejtuesit katalanas e konsiderojnë Álvarezin një objektiv prioritar për repartin ofensiv dhe janë të gatshëm të bëjnë përpjekje të mëdha për transferimin e tij.
Mbetet të shihet nëse Barcelona do të arrijë të bindë Atletico Madridin me ofertën e re, apo nëse fuqia financiare e Real Madridit do të ndryshojë drejtimin e kësaj sage merkatoje.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!