image Fundjavë e kobshme, përfundojnë tragjikisht jetët e dy vajzave të reja, vdes edhe një 58-vjeçar

Siguri

Fundjavë e kobshme, përfundojnë tragjikisht jetët e dy vajzave të reja, vdes edhe një 58-vjeçar

news image

Dy ditët e fundit të javës që e lam pas ishin tragjike për së paku 3 familje në Kosovë. Jetët e dy vajzave të reja, njëra 17 vjeç e tjetra 20, përfunduan tragjikisht të shtunën dhe të dielen, ndonëse në rrethana e motive të ndryshme. Jetën e humbi edhe një 58-vjeçar, ndërsa Prokuroria Themelore e Pejës dhe Policia e këtij rajoni kanë nisur hetimet për t’i kuptuar rrethanat dhe motivet e 3 jetëve të humbura në dy ditë, shkruan Gazeta Sinjali.

Dy fqinj të vdekur në një shtëpi në Vitomiricë të Pejës

Pasditen e së shtunës, një 17-vjeçare dhe një 58-vjeçar u gjetën të vdekur së bashku pranë një revole e dy gëzhojave plumbash në dhomën e shtëpisë së këtij të fundit në Vitomiricë të Pejës.

Policia në raportin 24-orësh njoftoi për gjetjen trupave të pajetë, ndërsa në vendin e ngjarjes thanë se ishin sulmuar zyrtarët policorë. 4 personat e dyshuar për sulmin ishin arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

“Fsh. Vitomiricë, Pejë 13.06.2020-18:30. Janë arrestuar katër persona të dyshuar meshkuj Kosovar të cilët fizikisht i kanë sulmuar dy zyrtarët policor derisa ishin në kryerje të detyrës zyrtare duke e siguruar vendin e ngjarjes pasi në atë lokacion janë gjetur dy trupa të pajetë. Si pasojnë sulmit  dy zyrtarët policor kanë pësuar lëndime të lehta trupore. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhej në raport të Policisë.

Më pas, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i tha Gazetës Sinjali se zyrtarët policorë ishin sulmuar nga familjarët e 17-vjeçares së vdekur, kur po e rrethonin me shiritë të sigurisë vendin ku ishin gjetur dy trupat e pajetë.

“Dje rreth orës 17:00 në Vitomiricë janë gjetë dy trupa të pajetë. Njësitet kompetente janë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, si dhe prokurori i shtetit. I kanë kry ato procedurat. Pengim i personit zyrtar është cilësu kur familjarët kanë shku… 4 persona kanë shku në vendin e ngjarjes. Njëri prej tyre i ka dëmtu shiritat e sigurisë, ka tentu me hy edhe kur kanë reagu zyrtarët policorë, ai i ka sulmu. Është dashtë me intervenu aty.. I kanë sulmu zyrtarët policorë të cilët kanë pësu lëndime të lehta trupore. Ata janë arrestu dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë”, ka thënë Gashi.

Gazeta Sinjali mësoi se viktimat ishin fqinj të parë, ndërsa zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi i tha gazetës se dyshimet preliminare janë se “njëra viktimë fillimisht është privuar nga jeta e më pas dyshohet që një prej tyre ka bërë vetëvrasje”.

“Lidhur me rastin në fjalë, prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitë relevante policore. Njëkohësisht trupat e pajetë të viktimave janë dërguar për obduksion në IML, ndërsa edhe arma dhe gëzhojat janë dërguar për ekzaminim. Janë duke u ndërmarrë veprime hetimore. Pas pranimit të raportit nga ekziminimi i armës dhe raporti i autopsisë, do të zbulohen rrethanat se si kanë vdekë. Dyshohet që njëra viktimë fillimisht është privuar nga jeta e më pas dyshohet që një prej tyre ka bërë vetëvrasje. Këto janë dyshimet preliminare”, ka thënë Nikçi. 

Gazeta Sinjali mësoi nga burime të sigurta brenda Prokurorisë rrethanat se si 17-vjeçarja A.R. dhe 58-vjeçari R.B. u gjetën të vdekur në shtëpinë e këtij të fundit.

Siç mëson Sinjali, Policia fillimisht ishte njoftuar se 17-vjeçarja ishte larguar nga shtëpia gjatë natës dhe nuk i dihej vendndodhja. Pasi u ishte thënë se ajo mund të gjendej në shtëpinë e fqiut 58-vjeçar, Policia shkoi aty dhe në njërën prej dhomave i gjeti të vdekur të dy.

Fundi tragjik i jetës së studentes së shkëlqyer në Gllogjan të Deçanit

Të dielen në mëngjes familja Mehmetaj nga Gllogjani i Deçanit do ta merrte një lajm me të cilin të duhet kohë të pajtohesh. Heroina Mehmetaj, vajza 20-vjeçare e familjes u gjet e vdekur.

Rastin e konfirmoi edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ndërsa Gazeta Sinjali mësoi se 20-vjeçarja i kishte dhënë fund jetës së saj duke u vetëvarur. Sinjali ka mësuar gjithashtu se Heroina ishte studente e Fakultetit Juridik në Universitetin e Pejës. Ajo gjithashtu ishte bursiste dhe kishte sukses të shkëlqyer në studime me notë mesatare 9.2.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se janë duke e pritur rasportin e IML-së lidhur me trupin e pajetë të vajzës.

Vdekja tragjike e Heroinës e preku jo vetëm familjen, por edhe shoqërinë e saj.

Vëllai i saj e shprhu dhimbjen e madhe për humbjen e motrës përmes një fotografie të përbashkët me Heroinën.

“Ishalla në xhennet motra ime”, skroi ai.

Për vdekjen e Heroinës reagoi dhe dha një prononcim të shkurtër foli edhe një shoqe e saj.

“Inshallah në Xhehnet shoqe”, ka shkruar Artiola Nagavci.

Ajo tha se nuk di asgjë se si ka vdekur Heroina Mehmetaj.

“Nuk di asgjë në lidhje me rastin e saj, si apo qysh ka vdekë. Presim rezultatet e obduksionit”, ka thënë ajo për Gazetën Sinjali, ndërsa nuk ishte në gjendje të fliste më shumë.

Edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, nga Podgorica e Malit të Zi foli për Gazetën Sinjali në lidhje me ngjarjen e trishtë. Ramosaj tha se ka marrë informacion zyrtar nga komandanti i Policisë për këtë rast, ndërsa thotë se e njeh edhe familjen e studentes.

“Unë e kam marrë këtë informacion. Momentalisht jam në udhëtim zyrtar në Podgoricë. Kam marrë informacion zyrtar prej komandantit të Policisë në orën 07:10 që dyshohet se është vetëvrasje. Raportet tjera nuk i di për hirë të së vërtetës. Mirëpo familjen e tyre e njoh dhe tash nuk e di… deri të hënën pasdite nuk jam në Kosovë”, ka thënë ai.

Siç kanë njoftuar dje familjarët, Heroina Mehmetaj do të varroset sot në orën 18:00 në varrezat e fshatit Gllogjan. /Gazeta Sinjali/