image Si përfunduan të vdekur në një dhomë 17-vjeçarja dhe 58-vjeçari në Pejë

Siguri

Si përfunduan të vdekur në një dhomë 17-vjeçarja dhe 58-vjeçari në Pejë

news image

Një burrë 58 vjeç dhe një vajzë 17-vjeçare janë gjetur pa shenja jete dje rreth orës 17:00 në një shtëpi në Vitomiricë të Pejës.

Gazeta Sinjali ka mësuar nga burime të sigurta brenda Prokurorisë rrethanat se si 17-vjeçarja A.R. dhe 58-vjeçari R.B. u gjetën të vdekur në shtëpinë e këtij të fundit.

Siç mëson Sinjali, Policia fillimisht ishte njoftuar se 17-vjeçarja ishte larguar nga shtëpia gjatë natës dhe nuk i dihej vendndodhja. Pasi u ishte thënë se ajo mund të gjendej në shtëpinë e fqiut 58-vjeçar, Policia shkoi aty dhe në njërën prej dhomave i gjeti të vdekur të dy.

Vdekjen e kishte konstatuar mjeku kujdestar, ndërsa në vendin e ngjarjes u gjet dhe u sekuestruan një armë e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast dhe dy gëzhoja të kalibrit 9 milimetërsh.

Më herët, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran ka thënë për Gazetën Sinjali se po e presin raportin e obduksionit dhe ekzaminimin e armës për t’i zbuluar rrethanat që çuan në vdekjen e tyre. Nikçi theksoi se “dyshohet që njëra viktimë fillimisht është privuar nga jeta e më pas dyshohet që një prej tyre ka bërë vetëvrasje”.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë se zyrtarët policorë janë sulmuar nga 4 persona kur po e rrethonin me shiritë të sigurisë vendin ku ishin gjetur trupat e pajetë, ndërsa të njëjtit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje.

Gashi ka thënë për Gazetën Sinjali se zyrtarët policorë janë penguar dhe sulmuar nga familjarët e 17-vjeçares që u gjet e pajetë.

“Dje rreth orës 17:00 në Vitomiricë janë gjetë dy trupa të pajetë. Njësitet kompetente janë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, si dhe prokurori i shtetit. I kanë kry ato procedurat. Pengim i personit zyrtar është cilësu kur familjarët kanë shku… 4 persona kanë shku në vendin e ngjarjes. Njëri prej tyre i ka dëmtu shiritat e sigurisë, ka tentu me hy edhe kur kanë reagu zyrtarët policorë, ai i ka sulmu. Është dashtë me intervenu aty.. I kanë sulmu zyrtarët policorë të cilët kanë pësu lëndime të lehta trupore. Ata janë arrestu dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë”, ka thënë Gashi.

Në raportin e Policisë, rasti nuk është cilësuar si vrasje, por si “hetim i vdekjes”.

Trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për obduksion. /Gazeta Sinjali/