image Franca mbështet marrëveshjen për targa, kërkon që Kosova ta formojë Asociacionin

Politikë

Franca mbështet marrëveshjen për targa, kërkon që Kosova ta formojë Asociacionin

news image

Shteti francez e ka mirëpritur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, derisa ka bërë thirrje që të respektohen edhe dispozitat që kanë të bëjnë me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Në një komunikatë për media, Franca e ka përmendur edhe propozimin franko-gjerman.

Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës, ka thënë se Kosova dhe Serbia pas marrëveshjes të së mërkurës, janë pajtuar që pa vonesë, t’i vazhdojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve.

Këtu, është përmendur edhe propozimi i përfaqësuesit të Lartë, Josep Borell që ka mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë, i njohur edhe si “plani franko-gjerman”.

“Nëpërmjet marrëveshjes, të dyja palët u zotuan të marrin masa të menjëhershme për targat për të shmangur përshkallëzimin. Ata ranë dakord gjithashtu që të vazhdojnë pa vonesë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, në bazë të propozimit të bërë nga Përfaqësuesi i Lartë, me mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë”, thuhet në komunikatë.

Tutje, Franca ka rikonfirmuar mbështetjen për Bashkimin Evropian, për të cilin, thotë se duhet të mundësojë përparim drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse mes dy vendeve.

Në fund, është përmendur edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, dispozitat e të cilit, Franca bën thirrje që të zbatohen.

“Franca u bën thirrje palëve që të vazhdojnë diskutimet në frymën e kompromisit dhe të zbatojnë marrëveshjet tashmë të arritura, duke përfshirë dispozitat që kanë të bëjnë me Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe”, thuhet në komunikatë.

/GazetaSinjali/