Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në Forumin BE-Ballkani që po mbahet në Sofja, ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën thjesht duhet të ndodhë tani dhe se për këtë temë Kosova s’duhet trajtuar ndryshe nga vendet e Ballkanit Perëndimor kur flitet për rrugën evropiane.
“Liberalizimi i vizave është diçka që thjesht duhet të ndodhë tani, sepse më tani s’ka arsyetim. Kemi zgjedhjet në Francë dhe jemi me shpresë se do të ketë progres në këtë drejtim, si dhe shpresojmë që aleatët dhe BE-ja do të ndihmojë për të ecur përpara. Por vizat nuk janë qëllimi evropian i Kosovës. Qëllimi evropian i Kosovës është anëtarësim i plotë në BE dhe për këtë jemi duke punuar”.
“Përmendja e Kosovës ndryshe prej vendeve të tjera të Ballkanit për rrugën e integrimit drejt BE-së duhet të ndryshojë, sepse Kosova do të aplikojë këtë vit për kandidaturën, si dhe do të aplikojmë për anëtarësim. Më pas do ta shohim se sa serioze do të jetë BE-ja në adresimin e fakteve dhe sfidave që Kosova duhet t’i përmbushë që të bëhet anëtare e BE-së”.
Gëvalla në forum tha se Bashkimi Evropian s’ka nevojë për një luftë që të kuptojë rëndësinë e integrimit të rajonit dhe se integrimi i tij s’duhet të tingëllojë si diçka vetëm teknike, por të përfshihet në qëllimet themelore të Unionit.
“Bashkimi Evropian para se të jetë një projekt i suksesshëm ekonomik, është projekt i paqes dhe projekt politik. Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e këtij projekti politik, sepse ky projekt ka vendosur njëherë e përgjithmonë se s’ka më luftë brenda Bashkimit Evropian dhe Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e tij”.
Në kontekstin e sigurisë, Gërvalla përmendi edhe sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit dhe kërkoi që BE dhe NATO të jenë më syhapur në këtë drejtim.
“Sot pati sërish një sulm kundër policisë në veri të vendit. S’është e para herë, as e dyta, grupe të ndryshme po e sulmojnë policinë derisa ata po e luftojnë krimin e organizuar. Ata po e luftojnë krimin në veri dhe veriu është pjesë e territorit tonë po ashtu. Disa nga sulmet kanë ardhur prej territorit të Serbisë dhe kjo tingëllon për mua e rrezikshme në këtë situatë. BE, NATO duhet të jenë të kujdesshëm dhe të shohin se çka po ndodh në Ballkan, sepse 24 shkurti ka ndërruar gjithçka”.
Gërvalla tha se kur Kosova plotëson kriteret që i vendosen atëherë BE-ja duhet të veprojë dhe kur kjo s’ndodh, ajo shtoi se pastaj po shkaktohet mosbesim.
“Më duhet të them se në Kosovë s’ka frustrim me BE-në. Sondazhet e fundit tregojnë se 93% e njerëzve janë pro BE-së dhe 90% janë pro anëtarësimit të plotë në NATO. Kjo është ajo çfarë njerëzit presin nga Qeveria e Kosovës. Dhe kjo është ajo çka ne bëjmë çdo ditë, por duhet të ndryshojë realiteti”.
Edhe këtu Gërvalla kërkoi seriozitet të plotë nga BE-ja që të thotë se çfarë duhet të bëjë Kosova dhe më pas të jetë sërish serioze që ta bëjë sa më shpejt që është e mundur anëtare të Unionit.