Interi do t’i bëjë konak skuadrës së Romës në duelin e vlefshëm për xhiron e 34-të në Serie A, shkruan Sinjali Sport.
Nerazurët kanë fituar secilën nga tre ndeshjet e fundit, ndërsa Roma nuk di për humbje në kampionat në 12 ndeshjet e fundit, që nga humbja 4-3 në shtëpi ndaj Juventusit më 9 janar.
Zikaltrit aktualisht ndodhen në pozitën e dytë me 69 pikë të mbledhura, dy më pak sesa lideri Milan, por me Nerazurët që kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Roma ndërkohë ndodhet në pozitën e pestë me 58 pikë, pesë më pak se Juventusi në pozitën e katërt, kurse dy më shumë sesa Lazio e Fiorentina që kanë nga 56.
Simone Inzaghit i mbetet vetëm një mungesë për përballjen e kësaj mbremjeje kundër Romës me Arturo Vidal që është i padisponueshëm për shkak të një problemi në kyçin e këmbës.
Gjërat janë pak më të vështira në kryeqytetin italian pasi Jose Mourinho do të jetë pa Daniel Fuzato, Nicolo Zaniolo dhe Bryan Cristante. Ky i fundit vuan nga probleme fizike, ndërsa dy të parët janë pezulluar.
Interi dhe Roma janë takuar dy herë këtë sezon, një herë në Serie A dhe një herë në Kupën e Italisë. Nerazzurrët i fituan të dyja takimet, përkatësisht 3-0 dhe 2-0.
Formacionet zyrtare Inter – Roma:
Inter (3-5-2): Handanovic; Skriniar, De Vrij, Dimarco; Dumfries, Barella, Brozovic, Calhanoglu, Perisic; Dzeko, Lautaro.
Roma (3-4-2-1): Rui Patricio; Mancini, Smalling, Ibanez; Karsdorp, Oliveira, Mkhitaryan, Zalewski; Pellegrini, El Shaarawy; Abraham
Ndeshja fillon nga ora 18:00.