Ambulatorja veterinare “Pharmacon Vet” dyshohet se ka abuzuar me fonde publike.
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka bërë të ditur se një bushtër e raportuar si e sterilizuar nga ambulatorja në fjalë me numër të vathit identifikues 930, ditë më parë, është raportuar që kishte lindur këlyshit e saj, shkruan Gazeta Sinjali.
Ky fondacion ka bërë të ditur se për çdo qen që trajtohej, veterinerët e kontraktuar merrnin 75 euro.
“Pharmacon Vet” me lider të ekipit, DVM, Fevzi Gërxhaliun ishte kontraktuar krahas subjekteve të tjera veterinare për kastrimin, sterilizimin dhe vaksinimin e qenve endacakë, në kuadër të Projektit të menaxhuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë i vitit 2018.
Fondacioni për të drejtat e kafshëve ka shprehur dyshime për keqpërdorimit të parave publike të qytetarëve të Kosovës
“Këtu, kemi dyshime të bazuara të keqpërdorimit të parave publike të qytetarëve të Kosovës dhe ky krim nuk është aspak për t’u injoruar.
Avokatët e organizatës tonë, janë duke shqyrtuar rastin e kësaj situate dhe patjetër që do të veprojmë shumë shpejt sipas legjislacioneve në fuqi për mbrojtën e mirëqenies së kafshëve dhe mashtrimit me para publike”, kanë thënë nga kjo organizatë, shkruan Gazeta Sinjali.
Qeni që ka lindur tani është nën përkujdesjen e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve.
“Organizata jonë, e ka nën kujdesje qenin dhe gjendet tek ne tani, por ky rast NUK DO TË MBYLLET KËSHTU. Rasti i mashtrimit apo punës tejet jo profesionale, është raportuar tek Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, por asgje nuk është ndërmarrë nga ata deri më tani (të paktë nuk na kanë kthyer asnjë përgjigje)”.
Gazeta Sinjali ka raportuar ditë më parë që Kosova nuk ka asnjë strehimore për qentë endacakë./ Gazeta Sinjali/