Mjeku Bardhyl Belba ka folur për herë të parë për vdekjen e tre familjarëve kosovarë. Familja Haliti ishte nga Gjilani, por prej ditësh kishte shkuar në Gjirin e Lalzit ku kishin blerë edhe një shtëpi prej 4 vitesh për të pushuar.
Por autoritetet shqiptare kanë bërë të ditur se ata kanë ndërruar jetë pasi kanë konsumuar kërpudhat që kanë mbledhur në pyll.
Mjeku ka treguar simptomat e para që kanë konstatuar te pacientët e tyre dhe mjekimin që u dha, ndërsa shtoi se nuk i kanë ndërruar në spitalin e Durrësit, apo Tiranës, pasi gjendja e tyre pas marrjes së medikamenteve është paraqitur e mirë.
“Familja Haliti është paraqitur në Qendrën Shëndetësore në Manëz më datë 5 maj rreth orës 1:30 të mëngjesit, në gjendje jo të mirë shëndetësore, me të vjella, këputje trupi, dhimbje barku dhe janë vizituar nga mjeku i shërbimit të urgjencës dhe është trajtuar me mjekimin përkatës”, ka deklaruar ai për mediat në Shqipëri.
“Pas mjekimit personat janë përmirësuar dhe kanë shkuar në shtëpi. Po atë ditë rreth orës 13:30 është paraqitur nëna e tyre me të njëjtat simptoma. Pasi ka marrë mjekimin e duhur është përmirësuar. Janë ngritur vetë dhe kanë dalë normal. Për arsye të thjeshtë, që pacienti ishte i përmirësuar nuk ishte e domosdoshme për të shkuar në Durrës apo Tiranë. Ne e kemi procedurë, nëse pacienti del i përmirësuar s’ka pse të shkojë në spital, por nëse gjendja e pacientit vazhdon të rëndohet ne i dërgojmë në spital. Nuk ishte e domosdoshme për të shkuar në Durrës”, ka shtuar ai.