Mjeku Pëllumb Pipero ka dhënë detaje nga situata e COVID- 19 në vend dhe sidomos për pacientin që u deklarua si viktima e pestë.
Pipero thotë se ai është rikthyer në jetë, por gjendja është e rëndë.
“Kemi raste të rënda dhe kemi raste shumë të rënda sikundër janë pacientët e shtruar në repartin e terapisë intensive, midis të cilëve njëri nga rastet sot në mëngjes ka bërë vdekje klinike, vdekje që zgjati relativisht gjatë por pa e humbur shpresën e personelit shëndetësor, të mjekëve reanimator për ta rikthyer atë në jetë. Fatmirësisht u rikthye në jetë por vazhdon të jetë ende rëndë”, deklaroi Pipero.
Sipas mjekut Pipero situata në shërbimin e sëmundjeve infektive është shumë dinamike. Dinamika sa i takon shtrimeve të rasteve të reja, ndjekjes në dinamikë të rasteve të shtruara në të gjitha pavionet. Tashmë ne kemi më shumë se 40 të shtruar në Spitalin e Sëmundjeve Infektive. Secili nga ato ka problematikën e tij në varësi të të moshës dhe të sëmundjeve kronike. Kemi raste që janë relativisht mirë dhe shpresojmë nga dita në ditë t’i nxjerrim.
“Në këtë situatë, në këtë lloj dinamike të zhvillimit të pandemisë në vendin tonë, të rasteve të shtuara edhe këtu tek Ne, por edhe rasteve të konfirmuara çdo ditë, vazhdoj të këmëngul e t’iu them të gjithë qytetarëve, të jenë të duruar, të qëndrojnë sa më gjatë në shtëpi dhe nëse kanë nevojë mjafton të telefonojnë në numrin 127” tha Pipero./ Gazeta Sinjali/