image Flet komandanti i Policisë së Gjakovës i cili e nisi torturën ndaj qytetarit të prangosur në stacionin policor

Kosovë

Deklarata/ Flet komandanti i Policisë së Gjakovës i cili e nisi torturën ndaj qytetarit të prangosur në stacionin policor

news image

Komandanti i Policisë së rajonit të Gjakovës, Kristë Gjokaj ka qenë ai që e ka nisur torturën ndaj një qytetari me duar të lidhura, i cili ishte sjellë me fytyrë të përgjakur në stacionin policor në Gjakovë.

Materiali i siguruar nga Gazeta Sinjali tregon dhunën e shfrenuar brenda stacionit policor të Gjakovës nga komandanti Kristë Gjokaj dhe pesë vartësit e tij të dyshuar për përfshirje në këtë rast, kapiteni Bekim Preqi, rreshteri Gëzim Biblekaj si dhe Agron Idrizi, Milot Ukaj dhe Shaban Limanaj.

video shihet qartë momenti kur Gjokaj e godet me grushte të arrestuarin me duar të lidhura, duke e rrëzuar në dysheme.

Pavarësisht kësaj, komandanti Kristë Gjokaj preferon që dhuna e ushtruar nga ai të cilësohet e dyshimtë. Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Gjokaj s’e ka mohuar dhunën, por ka refuzuar edhe ta pranojë.

“Dyshohet. Ti po paragjykon që e kemi rrahë. Thuaj nëse dyshohet”, ka thënë Gjokaj.

Ai ka insistuar të mos e pranojë përfshierjen në këtë rrahje brutale, duke sygjeruar që për këtë të pyetet avokati i tij.

“Unë po ju them pyetne avokatin tim. Për gjithçka pyetet avokati”, ka thënë Gjokaj.

Grushtet e Kristë Gjokajt ishin vetëm fillimi i një torture të gjatë për Muhamer Raifin mesnatën e 14 nëntorit të vitit 2018.

Pesë zyrtarë të tjerë e kishin pasuar Gjokajn, duke e rrahur tërë natën të prangosurin me grushta e shkelma.

Dhunën e trajtimin çnjerëzor e ka dënuar komandanti i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Qalaj ka thënë për Gazetën Sinjali se dhuna ndaj të prangosurit është e papranueshme pavarësisht se për kënd bëhet fjalë.

Kreu i Policisë së Kosovës ka deklaruar se lënda është në procedurë penale dhe se do të ndërmerr hapa, varësisht prej të gjeturave dhe vendimit të organeve gjyqësore.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.  /Gazeta Sinjali/