Një punonjës i zonave të mbrojtura, i cili ndodhet pranë efektivit të RENEA-s në Shqipëri, ka bërë të ditur se si Bledar Luli u rrëzua mëngjesin e sotëm në një greminë në zonën e Thethit, si edhe gjendjen e tij shëndetësore.
Në një lidhje telefonike me Report Tv, Pëllumb Guri ka deklaruar se duhet një ndërhyrje nga ajri për ta nxjerrë efektivin nga gremina, pasi ndodhen 5 orë larg çdo rruge të mundshme.
Ndër të tjera, Guri ka bërë ditur se në vendin e ngjarjes ndodhen aktualisht 10 persona, mes tyre një efektiv i policisë dhe një doktor i Urgjencës së Shkodrës.
“Gjendemi në një pjesë të alpeve të Shkodrës, në malet e Thethit. Bledari ka rënë prej 200 metrave, ka dëmtuar pjesën e legenit, të dorës, brinjët, është dëmtuar shumë rëndë. Unë jam punonjësi i zonave të mbrojtura në Theth, kam ardhur bashkë me disa banorë të zonës, ka ardhur një doktor i Urgjencës së Shkodrës dhe një polic. Është terren super i vështirë. Deri tani kemi folur me gjithë ata njerëz. Na kanë thënë se do të sjellin helikopterin, më pas na kanë thënë se nuk ka për momentin. Jemi prej orës 8 të mëngjesit”, ka thënë fillimisht Pëllumb Guri.
“Bledari ka dalë në mal, ka qenë vetëm. Ka kërkuar ndihmë dhe ne kemi ardhur, sipas detajeve të dhëna nga ai. Kemi zbritur me litar, ndryshe ishte e pamundur. Kemi folur me të, ka dalë thjesht për xhiro në mal. Dhe mesa folëm, nuk është i apasionuar pas malit. Ka ngatërruar rrugën dhe ka rënë nga 200 metra lartësi. Në këto momente jemi rreth 10 persona. Po mundohemi ta vendosim në një barrelë, si dhe në një terren më të butë. Jemi 5 orë larg çdo rruge makine. Nëse ne e zbresim pa ardhur helikopteri, ne mund të arrijmë deri në orën 8-9 të darkës. Jemi rreth 10 persona, erdhi edhe inspektori i zonës. Bëjmë thirrje vetëm që të vijë helikopteri”, është shprehur më tej Guri.